TIRANË

Gazetarja Klodiana Lala e konsideron një megaproces, hetimin, arrestimet dhe gjithë procesin që po ndiqet pas tërmetit të 26 nëntorit.

Lala ka komentuar arrestimet në studion e News24, në rubrikën “Opinion”. Ajo tha se hetimi do të zgjasë në kohë dhe se do të ketë arrestime të tjera. Lala tha se duke qenë se nuk ka pasur më parë hetim të tillë janë marrë protokollet se si ka hetuar Italia.

“Prokuroria çeli një hetim që pas tërmetit nëse vdekjet kishin ardhur nga tërmeti apo faktorë të tjerë. U ngrit një grup hetimor që nisi të mbledhë provat nga të gjitha objektet e shembura. Ky grup hetimor arriti në konkluzionin paraprak duke firmosur dhe 17 urdhër arreste.
Është hetimi i parë i kësaj natyre. Hetimi ka nisur menjëherë më pas edhe vetë godina e Prokurorisë së Durrësit u dëmtua nga tërmeti.
Me zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm ai pati një takim me gjithë grupin e hetimit duke i dhënë mbështetje dhe duke i suportuar që në këtë hetim të përfshihen specialistë.
Jella ngriti shqetësimin që në grupin hetimor duhet të përfshiheshin dhe ekspertë të fushave të ndryshme. Ka pasur gjeologë, specialistë të institucionit të ndërtimit. Është një hetim që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Janë marrë protokollet për mënyrën se si ka hetuar Italia. Pasi janë grumbulluar të gjithë provat materiale, jo vetëm ato të vendit të ngjarjes por edhe materialet shkresore që janë marrë nga institucione të ndryshme”, deklaroi Lala.

Sa i përket arrestimeve për shembjen e godinës tek Kavalishenca, gazetarja tha se ajo ishte e dëmtuar që nga tërmeti i 21 shtatorit dhe se personat e akuzuar duhet të kishin marrë masa.

“Kavalishenca një godinë e dëmtuar rëndë që në tërmetin e 21 shtatorit. Dy personat duhet të kishin marrë masat dhe ta klasifikonin këtë godinë si të dalë jashtë funksionit dhe të mos lejonin asnjë.
Ka pasur dëmtime shumë të rëndë por nuk ka pasur dokument zyrtar që ta tregonte këtë gjë. Në këtë ambient humbi jetën Bajram Hajdarmataj. Prokuroria kërkon pse nuk u kontrollua ky ambient. Pasi ka marrë dokumentacionin prokuroria ka ngritur akuzë ndaj këtyre dy personave”, deklaroi ajo.

Për sa i përket shembjes së “Tropikalit”, Lala tha se hoteli është ndërtuar pa leje ndërtimi dhe dyshohet se është legalizuar përmes akteve korruptive.

“Avdulla Osmani ka një akuzë të rëndë. Hotel Tropikal, ky ndërtim është bërë pa pasur asnjë leje. Aty vdiqën dy vëllezërit kosovarë. E ka ndërtuar pas një kriter ndërtimi dhe dyshohet se përmes akteve korruptive ka arritur ta legalizojë. Për këtë shkak ka shpallur në kërkim ish-drejtorin e ALUIZNI-t, Flamur Gjuzin dhe kemi të arrestuar Arben Isakun.
Po ta kalojmë tek Mira Mare, nuk ka zbatuar lejen e ndërtimit. Janë bërë ndryshime gjatë gjithë kohës. Nuk do përfundojë vetëm me arrestimin e 17 personave. Janë shoqëruar sot 35 persona, janë marrë informacione.
Artur Terziu, pronari i Barons, ku dy kate u futën nën tokë, që në momentin e parë kemi thënë se është bërë ndërhyrje në strukturë. Ai është shpallur në kërkim.
Secili nga këta persona kanë specifika të tyre. Secili banor kishte pretendimin e tij. Tek 6-katëshi tek Kryqi i Kuq kishte ndërhyrje në strukturë.
Tek Hotel Palma, burrë grua pronar janë shpallur në kërkim. Do duhet të shikohet dhe aty çfarë ka ndodhur me ndërtesën”, deklaroi Lala, raporton “BalkanWeb”.

Ajo theksoi se në qytetin e Durrësit nuk janë vetëm këto ndërtesa me probleme. “Zyrtarët i kanë pasur problemet e tyre para syve dhe nuk e kanë ushtruar detyrën e tyre funksionale. Nuk kanë reaguar. Ky është një hetim që do zgjasë në kohë”, tha Lala.

Sa i përket vilës së familjes Lala në zonën e ish-Kënetës, gazetarja deklaroi se ajo nuk ishte ndërtuar nga familjarët por nga një person që gjithashtu është vënë nën akuzë.
“Vila e familjes Lala në zonën e ish-Kënetës në Durrës, nuk bërë ndërtimi nga individë, nga kryefamiljarët. Janë shtruar themelet nga familja por ka pasur një përgjegjës për ndërtimin që është vënë nën akuzë. Ka pasur problematika nga tërmeti i 21 shtatorit. Ishte klasifikuar në ato banesa që do duhej të kishin një kualifikim final por për shkak të neglizhencës i kanë lejuar të banojnë duke sjellë edhe vdekjen e 8 personave. Është një hetim i gjerë, e kam konsideruar si një megaproces. Bëhet fjalë për anën e korrupsionit dhe krimit të jakave të bardha. Se si strukturat shtetërore, dikush përmes ryshfetit, dikush për neglizhencë apo për arsye të tjera kanë lejuar maskaradën e ndërtimeve në Durrë. Pjesa e dytë e hetimit do jetë për ato dëmtime që nuk kanë sjellë jetë të humbura”, deklaroi gazetarja Lala.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb