Policia e Kosovës ka arrestuar 16 shtetas serbë, përfshirë edhe disa oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë të Serbisë. Lajmin e bëri të ditur ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Grupi i parë, që përbëhej nga katër persona, u arrestua në Gjakovë, ndërsa 12 të tjerë u kapën në Prizren. Të arrestuarit udhëtonin me katër automjete të regjistruara në Kragujevc, Serbi. Gjatë kontrollit, u gjetën prova që lidhnin këta persona me inteligjencën ushtarake serbe dhe me grupin terrorist që mori pjesë në sulmin e armatosur në Banjskë. Mes provave të sekuestruara ishin fotografi të hartës së Kosovës, imazhe të pjesëtarëve të vrarë të grupit terrorist të Banjskës, dy thika, një sopatë dhe një dritë rotative.

Në Gjakovë, të arrestuarit ishin: Branko Rakiq, Nemanja Vamokiq (toger policie), Pavle Kragoviq, dhe Millovan Steviq (kapiten në ushtrinë serbe). Sveçla gjithashtu njoftoi se 12 të arrestuarit në Prizren po strehoheshin në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë, dhe mes tyre ishin dy oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe. Një nga të arrestuarit ishte identifikuar si i afërm i Vladimir Radivojeviq, i njohur si “Mami”, i dyshuar për vrasjen e Afrim Bunjakut, ndërsa një tjetër ishte kapiten i klasit të parë i ushtrisë serbe, raporton Telegrafi.

Këta persona janë ndaluar për 48 orë, sipas një urdhri të prokurorit. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ngritur alarmin për përpjekjet e Serbisë për të penguar formimin e institucioneve të reja në Kosovë, duke përfshirë ndikimin tek deputetët e komuniteteve joserbe. Ai akuzoi presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për ofrimin e mbështetjes për Listën Serbe dhe Milan Radoiçiqin për të realizuar këtë ndikim.

Policia e Kosovës, përmes reagimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, ka theksuar angazhimin e zyrtarëve të saj për parandalimin e aktiviteteve të dyshimta. Disa persona nga 12 të arrestuarit në Prizren janë liruar, ndërsa dy janë ndaluar për prezantim të rremë si pjesëtarë të MUP-it.

Reagime kanë ardhur edhe nga Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit, që mohoi akuzat për abuzim të institucionit fetar për qëllime politike. Në anën tjetër, presidenti Vuçiq e mbrojti veprimin e të arrestuarve, duke thënë se ata kishin udhëtuar për të vizituar manastiret dhe seminarin, dhe që provat e gjetura ishin të pavërteta.

Ky incident ka risjellë shqetësime për sigurinë dhe mundësinë e aktiviteteve të grupeve të lidhura me strukturat ilegale serbe në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb