Partia Demokratike ka reaguar sërish pas arrestimit të ish-deputetit socialist, Jurgis Çyrbja me urdhër të SPAK. Fillimisht ishte kryetari i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi i cili u shpreh se Shqipëria qeveriset nga krimi i organizuar.

Ndërsa anëtari i Kryesisë së PD, Grigels Muçollari deklaron përmes një postimi në rrjetet sociale se SPAK duhet ta kishte arrestuar Çyrbjen pa e dorëzuar mandatin e deputetit. Ai shton se zbulimi i lidhjeve të Çyrbjes me segmente të krimit të organizuar në Durrës u bë falë autoriteteve franceze të cilat zbërthyen aplikacionin Sky Ecc.

“Çdokush e kupton mirë se SPAK apo autoritetet tona s’kanë asnjë kontribut në këtë betejë. Siç po ashtu, kuptohet mirë nga të gjithë që nderin që kishin mundësi t’ja bënin Edi Ramës, ja bënë. E paketuan rastin, si ish-deputet”. 

Reagimi
Le ta themi që në krye, merita për shumë zbulime të lidhjes së krimit me rilindjen e Edi Ramës i shkon e gjitha autoriteteve franceze. Eshtë pikërisht materiali që ata kanë sjellë që po nxjerr në dritë të diellit aferat e renda elektorale, dhe në këmbim, mbështetjen qeveritare për bandat. Të ishte për autoritetet tona, për policinë tonë, për SPAK-un tonë, Çyrbja do të vijonte punën. Paradite ligjvënës, pasdite kondinator me krimin e organizuar. Edhe pse lidhjet e tij, bëmat jo vetëm të këtij deputeti në fakt por të të gjithë kupolës, janë denoncuar vazhdimisht nga Opozita e njihen mirë nga agjensitë e zbatimit të ligjit këtu.

Drejtësia jonë e re, është zënë ngushtë, nuk ka nga tja mbajë, dhe në këto momente po bën e detyruar zyrën përmbarimore, pasi policia franceze ka sjellë dëshmitë e provat. Megjithatë, edhe në këto kushte, SPAK ka gjetur një mënyrë për t’i ardhur në ndihmë Edi Ramës. Arrestimi i deputetit të PS, erdhi pasi atij ju dha kohë të dorëzonte mandatin. E gjitha ka të bëjë me perceptimin publik dhe me propagandën.

Kryeministrit i peshon më pak kjo barrë e rende, kur shkruhet në tituj e në lajme, “ish-deputeti”. 3 vjet e gjysëm deputet, vetëm pak ditë pa mandat, dhe ai e gëzon statusin, ish. Dhe në apologjinë në vijim, mazhorancës i vlen ky moment, pasi do të thonë me siguri se kanë larë duart me të, se ai person nuk u përket më.

Nëse SPAK nuk do të kishte treguar këtë kujdes për imazhin e qeverisë dhe të Kryeministrit, deputeti mund të ishte arrestuar duke dalë nga Parlamenti, apo nga ndonjë komision, apo edhe duke kryer ato punët e errëta në zonë Shijak-Durrës.

Këto skena janë kursyer. Sepse këto do t’i rendonin shumë liderit global, që hiqet si artisti politikan, por në të vërtetë e ka marrë pushtetin nga grupet më të rrezikshme kriminale në vend, prej ujdisë që ka bërë me to, prej ditës që u bë Kryeministër e deri më sot.

Çdokush e kupton mirë se SPAK apo autoritetet tona s’kanë asnjë kontribut në këtë betejë. Siç po ashtu, kuptohet mirë nga të gjithë që nderin që kishin mundësi t’ja bënin Edi Ramës, ja bënë. E paketuan rastin, si ish-deputet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb