Kryeministri Edi Rama ka porositur deputetët socialistë të mos reagojnë ndaj deklaratave të opozitarëve. Kjo porosi vjen pas deklaratës së kreut të PD-së Lulzim Basha, i cili tha se po përgatitet arrestimi i Vangjush Dakos.

Burime nga deputetët që kanë marrë mesazhin thanë për “BalkanWeb” se lideri i maxhorancës iu ka kërkuar të mos replikojnë me deklarata e përgënjeshtrime ndaj akuzave e shpifjeve nga, siç i quan ai, ‘kolegët tanë të arratisur’.

Në mesazh Rama thotë se vëmendja do jetë tek njerëzit por se ka një përjashtim se kur do të ketë reagime. Nuk mungojnë as ‘kadrinjtë’ e ‘kazanët’ në sms-në e kryeministrit.

“Në vijim të komunikimit për refuzimin e daljeve me kolegët tanë të arratisur, në debate shterpë të cilat përveçse harxhojnë kot kohën e publikut, derdhin baltë e helm në tryezat e shqiptarëve, më duhet të shtoj se nuk do të replikojmë më në distancë me deklarata e përgënjeshtrime ndaj akuzave e shpifjeve të tyre të pafundme.
E gjithë vëmendja jonë do të jetë tek njerëzit e zakonshëm pa dallim dhe komunikimi ynë do të jetë për ta e me ta. Natyrisht nuk do t’i kursejmë as arratiakët në komunikimet tona, por vetëm kur kjo i duhet komunikimit me qytetarët. Le të merren kadrinjtë e kazanët me dokrrat e dëshpërimit të tyre dhe le të vlojnë së bashku në zjarrin e mandateve të tradhtuara! Koka bën koka pëson, megjithëse në rastin e tyre koka e bën dhe trupi si gjithnjë e pëson”, shkruhet në mesazhin e kryeministrit të siguruar nga “BalkanWeb”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb