Grupi Parlamentar i AAK-së së Ramush Haradinaj e ka cilësuar politik arrestimin e deputetëve Shkumbin Demalijaj dhe Milaim Zeka.

Sipas tyre kjo mund të jetë bërë me qëllim bllokimin e punës në Kuvend. AAK i ka bërë thirrje gjykatës që të lirojë deputetët, pasi kjo mund të ndodhë vetëm në një sistem totalitar.

“Druajmë se arrestimi i deputetëve Demaliaj dhe Zeka mund të jetë i kalkuluar për motive politike dhe me qëllim të bllokimit të punës së Kuvendit të Kosovës. Pamjet e prangosjes së deputetëve për fjalën e tyre mund të shihen vetëm në sisteme totalitare. Prandaj kërkojmë që deputetet që po mbahen në arrest të lirohen menjëherë dhe gjykata të ndjek procedurën e rregullt në raport me ta. Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është i indinjuar me arrestimin e dy deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në si deputet nuk mund të pajtohemi me logjikën e arrestimit të deputetëve për shkak të fjalës së tyre edhe kur ajo është më e ashpër dhe më emocionale se sa që duhet. Konsiderojmë se deputetët e arrestuar nuk kanë bërë asnjë veprim konkret i cili mund të cilësohej kanosje ose rrezik të kujtdoqoftë dhe mbajtja në paraburgim e tyre kur ata nuk paraqesin rrezik për askënd, është shkelje e rëndë e dinjitetit dhe integritetit të deputetit”, thuhet në komunikatë.

Kujtojmë se Demalijaj dhe Zeka u arrestuan nga Policia e Kosovës për shkak të deklaratave të tyre drejtuar prokurorit Afrim Shefkiut dhe ish-prokurorit Elez Blakajt.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb