TIRANE- Një ditë pas arrestimit të Rexhep Rrajas, djalit të deputetit Rrahman Rraja për përndjekje ndaj ish-të dashurës Xhisiela Maloku, vjen lëvizja nga grupi parlamentar i PS-së. Mësohet se ditën e sotme grupi parlamentar i PS u mblodh nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, i cili qëndroi në selinë rozë vetëm pak minuta, për t’ja lënë ‘stafetën’ Taulant Ballës.

Gazetari Ergys Gjençaj raporton për ‘BalkanWeb’ se gjatë mbledhjes mund të diskutohet rreth ‘fatit’ të deputetit Rraja, në një kohë kur opozita ka kërkuar heqjen e imunitetit të tij.

Ditën e djeshme pak pas arrestimit të të riut, partitë opozitare reaguan, ndërsa kërkuan që të merreshin masa edhe për Rrahman Rrajan.

ARRESTIMI
Dhunimi i Xhisiela Malokut u bë publik pak ditë më parë, kur oficeri i policisë Emiljano Nuhu dëshmoi për dhunën e ushtruar ndaj vajzës së re dhe akuzoi policinë për neglizhencë si dhe tregoi se ishte kërcënuar me armë në prani të deputetit Taulant Balla.

Ishte prokurorja Mirela Kapo që kërkoi dje nga gjykata e Krujës arrestimin e Rrajës dhe gjykata pranoi kërkesën e saj dhe vendimi u ekzekutuar nga punonjësit e policisë. Rexhep Rraja akuzohet për dhunimin e ish-të dashurës. Vendimi i gjykatës vjen edhe pas administrimit të aktit të ekspertizës për të renë e dhunuar dhe e torturuar nga Rraja.

Dy ditë më parë pati një ballafaqim të gjatë mes Rrexhep Rrajës dhe vajzës Xhisiela Malokut, të cilët kanë dhënë dëshmi kontradiktore. Gjithashtu në pyetje janë marrë dhe motra e nëna e Xhisielës si dhe të afërm të Rexhep Rrajës që po ashtu kanë dhënë deklarata të ndryshme.

Ai tashmë do duhet të përballet me gjykatën për përndjekje ndaj të resë, e ndodhur që në muajt e verës por e mbajtur e fshehur. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe ankesat nisi një hetim për veprimet e mosveprimet e policisë me këtë rast. Kur të plotësohen 72 orë Rexhep Rraja do të dal në gjykatë për masën e sigurisë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb