TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas arrestimit të djalit të deputetit socialist Rrahman Rraja për dhunimin e 25-vjeçares Xhiseila Maloku.
Rama inkurajon prokurorinë të mos ndalet deri në fund por nuk kursen dhe një akuzë për opozitën. Ai thotë se ata dje u bënë mburojë e të kërkuarve nga drejtësia dhe sot po ridhunojnë vajzën për politikë.
“Ndryshe nga ata që dje u bënë mburojë e të kërkuarve nga drejtësia duke i hapur luftë prokurorisë dhe sot po ridhunojnë vajzën për politikë, ne mbështesim drejtësinë e barabartë për të gjithë gjithmonë. Inkurajoj prokurorinë të mos ndalet deri në fund? #eGjithëVëmendjapërVajzën”, shkruan kryeministri.
Rexhep Rraja u arrestua sot pasi Gjykata e Krujës vendosi masën “arrest me burg” ndaj tij, me akuzën për përndjekje dhe dhunim të Xhiseila Malokut.
Ngjarja shkaktoi një furtunë në politikë me akuza e kundër akuza mes palëve pas denoncimit të oficerit Emiljano Nuhu, i cili ndër të tjera tha se ishte kërcënuar me armë në prani të deputetëve Taulant Balla dhe babait të të akuzuarit Rrahman Rraja, ndërsa akuzoi policinë për neglizhencë të rastit. Sipas aktekspertimit të mjekëve, Xhiseila Maloku ishte dhunuar dhe kishte shenja dhune në të gjithë trupin. Ngjarjet për të cilat akuzohet Rexhep Rraja ndodhën në korrik por vetëm tani erdhi veprimi i organeve pas denoncimit të oficerit Nuhu.
(m.k/BalkanWeb)