TIRANË- Pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme ndaj Kuvendit të Shqipërisë për arrestimin e dy deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku, ka nisur edhe “orteku” i reagimeve, fillimisht nga të djathtët.

Basha: Larje hesapesh, ne vijojmë protestat edhe më fuqishëm
Kreu i PD-së, Lulzim Basha e cilësoi kërkesën e prokurorisë për arrestimin e Tomë Doshit dhe Mark Frrokut për kallëzim të rremë, si larje të hesapeve të Ramës, Metës e Tahirit me dy deputetët.

Sipas Bashës, kjo kërkesë nuk bën gjë tjetër veçse shton pikëpyetjet për këtë çështje edhe në kohën që zëri ndërkombëtar, sipas tij fuqizoi thirrjet për dorëheqjen e Metës.

“Për ne ky nuk vjen si një hap i papritur. Kemi paralajmëruar që prej ditës së parë se me Ilir Metën Kryetar Kuvendi e vërteta nuk ka asnjë shans, drejtësia shqiptare, Prokuroria shqiptare nuk kanë asnjë mundësi të zbardhin të vërtetën, as unë, por besoj asnjë shqiptar nuk beson se e vërteta mbi këtë çështje, mbi këtë skandal, mund të dalë në dritë, ndërkohë që i akuzuari kryesor vazhdon të ushtrojë pushtetin e numrit dy në vend, prandaj nga kjo pikëpamje, ajo që ka ndodhur është ajo që porositi kryeministri Rama , z. Meta, dhe që paralajmëroi Sajmir Tahiri, një mbyllje të shpejtë të hetimit. Pyetjet mbeten. Nëse rama, Meta, Tahiri e dinin këtë prej 6 muajsh, përse nuk e bën këtë para 6 muajsh? Pse nuk kërkuan transparencën para 6 muajsh, meqë çështja do të mbyllej? Pse e lanë Fation Skënderaj të largohej për në Gjermani kur ishte në listën e të kërkuarve dhe shkuan pastaj dhe e rikthyen vetë? Ka shumë pse. E sotmja, veprimi i sotëm, vetëm i shton pse-të, veçanërisht në një kohë kur thirrjet e faktorit ndërkombëtar, për një hetim të besueshëm, dhe për hapjen rrugë të hetimit përmes largimit nga posti i numrit dy, Ilir Metës, janë shtuar. Vijnë pra këto hapa në kohën kur kërkesa për dorëheqjen e Ilir Metës i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë, është një kërkesë që është intesifikuar, ndaj e sotmja nuk zgjidh asgjë, shton pikëpyetjet dhe vërteton atë që ne iu kemi thënë shqiptarve, që sa kohë, që i akuzuari kryesor në këtë aferë vazhdon të ushtrojë pushtetin e numrit dy, në bashkëpunim me numrin një të ekzekutivit, e vërteta do të mbetet e strukur”, tha Basha.

Ndërsa në lidhje me protestat e opozitës, Basha shtoi: “Do vazhdojnë edhe më të fuqishme për kauzën e dekriminalizimit. Kjo që bënë sot është larje hesapesh, afera shkon përtej këtyre emrave”, tha ai.

-Z. Basha, vetëm pak minuta më parë, Ambasada Amerikane përshëndeti vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme. Komenti juaj për këtë çështje?

Unë përshëndes çdo vendimn të institucioneve të vendit që nuk pengohen për të trajtuar të barabartë përpara ligjit këdo. Sepse ne jemi Parti e shtetit ligjor. Partia Demokratike është themeluar dhe do të jetë përgjithmonë parti e shtetit ligjor. Eshtë e paimagjinueshme për ne që të bllokojmë, të hedhim çdo hap që mund të bllokonte hetimet. Hetimet duhet të bëhen të plota. Çdokush përgjegjës për këtë aferë duhet të japë llogari përpara drejtësisë, ndaj dhe e kemi nisur dhe do e vazhdojmë me një mbështetje të plotë për drejtësinë që të bëjë punën e saj pa u ndikuar, por kjo nuk ka për të ndodhur, nuk po ndodh dhe nuk do të ndodhë, për sa kohë që i akuzuari kryesor do vazhdojë të ushtrojë pushtetin e numrit dy në vend.

-A do të vazhdojnë protestat e Partisë Demokratike?

Protestat e Partisë Demokratike dhe të qytetarëve shqiptarë do të vazhdojnë edhe më të fuqishme. Do të vazhdojnë për kauzën e dekriminalizimit, një kauzë të cilën akoma nuk e ka shqiptuar, as Ilir Meta, as Edi Rama, dhe s’kanë si ta shqiptojnë. Sepse kjo që bëjnë sot është një larje hesapesh midis Ramës, Metës, Tahirit, Doshit dhe Frrokut. Por kjo aferë shkon përtej këtyre 5 individëve apo atyre 12-13 të tjerëve me rekorde kriminale në Kuvendin e Shqipërisë. Nuk janë pazaret e tyre të pista të para 23 Qershorit dhe të pas Gushtit të vitit të kaluar, për të cilat jemi ngritur në protesta. Eshtë kauza e shqiptarëve që përbashkon të majtë e të djathtë, është kauza e pasigurisë sepse krimi është ngritur në sistem. Eshtë kauza e arbitraritetit dhe padrejtësisë që po merr jetë të pafajshme njerëzish sepse krimi është ulur në poltronet e shtetit. Eshtë kauza e papunësisë, e varfërisë, e mjerimit. Eshtë e papërgjegjshmërisë, e rritjes së çmimit të energjisë për çdo shqiptar, kur premtuan uljen, dhe rritjes së taksave për çdo shqiptar, kur premtuan uljen për shumicën e shqiptarëve. Pse?! Sepse papërgjegjshmëria është ulur në prehrin e krimit dhe krimi është ulur në poltronin e pushtetit. Prandaj ne do ti bëjmë thirrje shqiptarëve të bashkohen më shumë dhe më fortë se kurrë në thirrjen tonë për të shndërruar sheshet dhe rrugët e Shqipërisë, duke filluar nesër me Durrësin, nis institucioni suprem i sovranitetit në kushtet e mosfunksionimit të Kuvendit, në kushtet e kriminalizimit dhe kapjes së institucioneve, në kushtet e braktisjes së qytetarëve nga qeveria Rama-Meta.

-A do të vijoni me kërkesën e dorëheqjes së z Meta?
Pa pikë dyshimi po. Se si mund ti shërbejmë të vërtetës ndërkohë që i akuzuari kryesor bashkë me aleatin e tij kryeministër po bëjnë çdo përpjekje për ta mbuluar të vërtetën, përveçse me dorëheqjen e tij nuk shoh asnjë rrugë tjetër.

-A do ta votoni heqjen e imunitetit të dy deputetëve?
Për këtë e morët përgjigjen. Ne jemi parti e shtetit ligjor. Eshtë e paimagjinueshme për ne të bllokojmë hetimin. Të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit.

-Po nëse z.Meta nuk jep dorëheqjen?
Ua dhashë përgjigjen. Protesta.

Shkëlzen Berisha: Ja pra që krisma nuk ka pasur
Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit, Sali Berisha ka risjellë në vëmendje në faqen e tij të Facebook çështjen “Meta-Prifti”, duke hequr vija paralele me rastin e Doshit.

“Ja pra, që krisma nuk ka pasur! Sa fat paska pasur Dritan Prifti që nuk e akuzuan për dëshmi të rreme për videon ku Meta i ofronte atij 700 mijë euro. Me shumë gjasa do kishte përfunduar në burg, nëse Meta do thoshte se 700 mijë eurot nuk ja ofroi me zemër, por nën presion”, shkruan Shkëlzen Berisha.

Topalli: Padrinoja zhduk edhe ish-miqtë
Ndërsa ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, thotë se “në ligjin e mafies padrinoja për të shpëtuar kokën e tij urdhëron dënimin e çdo kujt. Ai zhduk edhe ish-miqtë, ish-bashkëpunëtorët e tij!

Strazimiri citon dramën: Hongshi njoni­-tjetrin e kush ngeltë hongërt veten, ne do vazhdojmë protestat

Deputeti i PD-së Gent Strazimiri thotë se PD do të vazhdojë protestat edhe pas kërkesës së prokurorisë për arrestimin e Doshit dhe Frrokut.
Duke cituar tekstin e një drame, ai shprehet se PD do të vazhdoje protestën deri në pastrimin e MetaStazat. “Me sa duket mallkimi i nënës së Osman Kazazit vazhdon t’u rrijë mbi kokë që në vitin 1945, kur baballarët e këtyre i arrestuan djalin:
“Hongshi njoni­tjetrin e kush ngeltë hongërt veten”… E mjera plakë edhe nga varri vazhdon i ndjek…
Ndjesë pastë kush “ka harruar”!!!Kush jo, vazhdon protestën deri në pastrimin nga MetaStazat”, thotë Strazimiri.

Bregu: Të ndahet shapi nga sheqeri, që qytetarëve të mos iu shitet djalli për engjëll
Pas kërkesës së Prokurorisë drejtuar Kuvendit për arrestimin e dy deputetëve Tom Doshi e Mark Frroku për kallëzim të rremë, ka reaguar edhe deputetja e PD-së, Majlinda Bregu, e cila kërkon të ndahet shapi nga sheqeri, që qytetarëve të mos ju shitet asnjë soj djalli si engjëll.

Jo pak dekorata ka marrë krimi ndër vite në politikën shqiptare. Nga emërime pushtash, hajdutësh e kriminelësh në administratë e poste publike e deri tek mandate deputetësh. Kësaj të keqe ja kemi hapur derën vetë. Dikush i ka shkelur syrin për “miqësi” e dikush ka bërë “miq”për vota, diku për të prishur mandate të ndershme politike e diku duke rrëmbyer mandate me para e kërcënime për të krijuar shumica mbytëse. Unë dhe si unë pjesa dërrmuese në atë Parlament, nuk kemi hyrë në politikë për të parë si publik kinemaje shëtitëse filma që duken “thriller politikë të Bollyëood-it”, ku protagonistët herë puthen e herë zhyhen me njëri-tjetrin sa ju prishet idili i hesapeve. Dhe që qytetarëve të mos ju shitet asnjë soj djalli për engjëll e t’ju marrë frymën më pas, duhet ndarë shapi nga sheqeri një herë e mirë.

(ma.ar/m.k/d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb