PUKE- Ngjarjet e fundit në qytetin e Pukës me protagonist nxënës konviktorë duket se kanë  ngritur në këmbë autoritetet përgjegjëse, të cilat në një takim të organizuar sot u  duk  se  kërkonin  ti  vinin fre ngjarjeve akoma më të rënda që mund të ndodhin.

 

Në  fokusin e  takimit  të  organizuar  sot  ishte arrestimi i dy  konviktorëve,  të cilët  dolën mesnatën e 7 janarit nga konvikti i Pukës dhe grabitën  një njësi tregtare të  qytetit, gjë për të cilën adoleshentët ndodhen pas hekurave.

 

Pas diskutimit të drejtoreshës së shkollës së  mesme  znj. Angjelin Meta Paloka, kreu i policisë së  Pukës, Hamdi  Shullani e ka  cilësuar situatën në fjalë si anormale, ndërsa tregoi gatishmëri për të goditur të gjithë ata elemente me tendenca drejt  botës së krimit apo drogës.

 

Me tone të ashpra kreu i arsimit në Pukë për rastet në fjalë ka ftuar bashkinë të  reflektojë dhe të nxjerrë përgjegjësit duke paralajmëruar  se për neglizhencën e kryebashkiakut të Pukës në këtë drejtim, do i drejtohej ministrit të Brendshëm.

 

“Më shqetëson fakti se si bashkia e Pukës nuk ka reaguar lidhur me ngjarjet e ndodhura, edhe pse janë skandaloze. Gjithsesi unë i kam kërkuar kreut të kësaj bashkie një informacion zyrtar se çfarë po ndodh në konvikt dhe nëse brenda dy ditëve nuk do kem një përgjigje zyrtare do i drejtohem Ministrit të Brendshëm për kryebashkiakun e Pukës, i  cili duhet të ngrihet në lartësinë që i kërkon detyra.  Konviktorët janë nxënës, për akomodimin e të cilëve, prindërit e tyre shesin pasurinë e tyre për ti shkolluar e paguar konviktin, dhe askush nuk mund të tolerojë një situatë të tillë, pasi nëse vijojmë kështu mund të ndodhë më e keqja, tha kreu i arsimit në Pukë, Nikolin Prenga.

 

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb