Qeveria e përkohshme gjermane, e udhëhequr nga Socialdemokratët dhe të Gjelbrit, ka ndaluar eksportin e planifikuar të 40 avionëve luftarakë Eurofighter Typhoon drejt Turqisë. Sipas raportimeve të mediumit gjerman Handelsblatt, vendimi u mor pas diskutimeve të brendshme konfidenciale dhe lidhet drejtpërdrejt me situatën politike në Turqi.
Zyrtarët gjermanë kanë reaguar ashpër ndaj arrestimit të politikanit opozitar turk, Ekrem Imamoglu, duke e cilësuar atë si “sulm ndaj demokracisë turke”. Imamoglu, i cili ka shërbyer si kryebashkiak i Stambollit, u arrestua më 23 mars nën akuza për korrupsion që opozita turke i konsideron të motivuara politikisht.
Hetimet ndaj Imamoglu-t lidhen me blerjen e dyshimtë të tri pronave luksoze në një lagje elitare të Stambollit, përmes një kompanie ndërtimi të kontrolluar nga familja e tij. Sipas hetuesve, Imamoglu ka në pronësi 60 për qind të aksioneve të kësaj kompanie.
Vendimi i Berlinit për të bllokuar eksportin shihet si një sinjal i fortë diplomatik ndaj Ankarasë në lidhje me respektimin e të drejtave demokratike dhe pavarësisë së gjyqësorit.