Shteti nuk mund të funksionojë në një pjesë të ditës, e në pjesën tjetër jo. Ai është një organizim kompleks që drejtohet nga ligji, vendimmarrja, guximi dhe dashuria ndaj atdheut. Çdo interpretim përtej kësaj, është konspiracion, i pavërtetë, dashakeq dhe kundër Kosovës.

Mësimet dhe teoritë themelore mbi shtetin tregojnë se shteti as si funksion e as si mekanizëm nuk është i ndërtuar, rrjedhimisht nuk ndërtohet mbi konspiracion, hamendësime e as mbi politika “odash” si trashëgimi arkaike e relikteve komuniste e otomane. Në degradimin e vlerave sistematike në Republikën tonë, të mbrosh sovranitetin territorial si element themelor i shtetësisë, si premisë kushtetuese e obligim ligjor, mund të duket edhe konspirative, edhe arkaike në të njëjtën kohë. Për këtë, faj nuk kanë qytetarët e Kosovës, por elitat politike, mediale e ato të shoqërisë civile, që kanë qenë bartëse të jetës publike të Kosovës në 18 vjet pas luftës. Por kjo sot nuk u jep të drejtë asnjë prej palëve të përfshira në vendimmarrje, përcjelljen, transmetimin e komentimin e ndalimit dhe të deportimit nga territori i Republikës së Kosovës i z. Marko Gjuriç, të paragjykojnë motivin e ndalimit dhe deportimit të tij. Rrjedhimisht, të ruajtjes së sovranitetit, Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës. Fundja Kushtetuta, ligjet dhe sovraniteti i Kosovës janë detyrimet tona si bartës të pushtetit shtetëror të deleguar nga populli.

Shteti sipas Kushtetutës është i të gjithë qytetarëve të Kosovës, shqiptarëve, serbëve, turqve etj. Përpjekjet për të diferencuar vendosjen e ligjit në rastin Gjuriç si sulm ndaj komunitetit serb janë përpjekje për të vënë puq mbi shtetin dhe për të prishur harmoninë ndëretnike në vend. Serbët e Kosovës janë qytetarë të barabartë në Republikën e Kosovës. Të drejtat dhe liritë e tyre i garanton Kushtetuta dhe ligjet, pra shteti, institucionet e shtetit me gjithë aparatin përcjellës.

Serbët e Kosovës si të gjitha komunitetet e tjera në Kosovë janë pjesë e pandashme e shtetësisë sonë. Andaj, çdo përpjekje për të interpretuar rastin Gjuriç si antiserb, në thelb është përpjekje për ta minuar shtetësinë e Kosovës. Pjesë të operacionit për ndalimin dhe deportimin e z. Gjuriç kanë qenë pa dallim pjesëtarët nga të gjitha komunitetet që janë pjesë e këtyre njësive, mes të cilëve edhe pjesëtarët serbë të njësive speciale të policisë së Kosovës. Dëshmi më të mirë për funksiononin e vlerave multietnike se kaq nuk mund të ketë. Siç nuk mund të ketë dëshmi më të madhe se kaq, që operacioni nuk ka qenë drejtuar kundër serbëve, por ndaj atyre që ilegalisht janë futur në territorin e Kosovës.

Institucionet e Republikës së Kosovës sigurisht nuk do të dëshironin që të përcillnin pamjet që pamë në rastin ‘Gjuriç’, sepse nuk janë fotografia më e mirë që një vend mund të përcjellë, aq më pak kur çdo ditë e kemi demonstruar që jemi të interesuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me shtetin fqinj verior. Siç nuk ka qenë pamja më e mirë kur nëpër rrugët franceze të Colmar, kryeministrit Haradinaj i qenë vendosur pranga me urdhër-arrest politik të po këtyre përfaqësuesve të Beogradit. Paralelizmi sigurisht nuk vlen, por vë në pah qartësisht se si funksionon një shtet ligjor dhe demokratik përballë një shteti që vendimet i ka marrë krejtësisht të bazuara në motive joligjore e politike.

Shteti nuk mund të funksionojë në një pjesë të ditës, e në pjesën tjetër jo. Ai është një organizim kompleks që drejtohet nga ligji, vendimmarrja, guximi dhe dashuria ndaj atdheut.

Çdo interpretim përtej kësaj është konspiracion, i pavërtetë, dashakeq dhe kundër Kosovës. /Gsh.al/

* Autori është shef i kabinetit të zëvendëskryeministrit Pacolli

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: