Partia Demokratike ka caktuar 29 tetorin si ditën kur do të mbahet protesta e rradhës nga opozita, e cila prej disa javësh ka shpallur mosbindjen civile. Vendimi u morr në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, ndërsa u njoftuar paraprakisht nga kreu demokrat Sali Berisha në fjalën e mbajtur.
“Më datën 29, udhëheqësit e PD në qarqe marrin përsipër të organizojnë në rang qarku paralizimin këtij regjimi”, tha Berisha pasi ditën e sotme përfundoi në pranga presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Pas protestës së datës 29 tetor, ish-kryeministri tha se ajo e radhës do të jetë shumë afër.
Kujtojmë se në datën 23 tetor deputetët e PD kanë paralajmëruar se do të organizojnë një protestë para Parlamentit Europian në Strasburg.
“Unë u garantoj ju, se nuk ka asnjë nga armët e regjimit, asnjë nga bandat e regjimit, asnëj nga degët e krimit të tij nuk mund t’i rezistojë trimërisë, guximit dhe protestës qytetare.
Koha është veprim dhe vetëm veprim!
Më datën 29, udhëheqësit e PD në qarqe marrin ëprsipër të organizojnë qytetarët në rang qarku për paralizën e plotë të këtij regjimi. Ftojmë qytetarët të bashkohen me ne.
Unë u them qytetarëve, se në këtë betejë secili duhet të sakrifikojë diçka, secili edhe mund të humbasë diçka, por pas fitores së saj fiton shumë herë më tepër.
Unë u bëj thirrje bizneseve të përdorin qepenat e tyre për t’i treguar diktaturës së ju nuk mposhteni kurrë. Të përdorin qepenat e tyre për t’i treguar diktaturës se ju jeni të gatshëm të zbrisni në shesh bashkë me qytetarët.
Unë u bëj thirrje, veçanërisht të rinjve, të rejave që nuk mund të pajtohen kurrë me skena të tilla që panë sot, të ngrihen.
Unë u them atyre e sot Shqipëria në mediat e mbarë botës është vendi më i shëmtuar. Aktë të tilla nuk përcjell as Korea e Veriut, i bën me më kujdes.
Ndaj dhe, le të ngrihemi të gjithë dhe pas datës 29, data tjetër është shumë e afërt, gjer sa të kalojmë në formën e pandërprerë të kësaj qëndrese.
Unë kam bindjen më të thellë, se asgjë nuk mund t’i rezistojë zemërimit tonë. Të mos harrojmë, të jemi të gatshëm, secili nga ne të paguajë çmim për guximin tonë.
Ervin Salianji, është sot në burg sepse po paguan çmimin e guximit të tij qytetar dhe politikan. Denoncoi vëllain kriminel të ministrit kriminel që drejtonte trafiqet në Vlorë, dhe bënte bixhozin me vëllanë e Edi Ramës.
Pra, secili nga ne duhet të jetë i gatshëm të paguajë çmimin e guximit. Të sakrifikojmë dhe të shpëtojmë vendin tonë. Mos prisni kurrë që të tjerë do vijnë të qendrojnë për ne.
Janë opozitarët shqiptarë ata të cilët kanë meritën e madhe, kanë vullnetin dhe vendosmërinë për t’u ngritur. Janë ata që iu rezistuan përpjekjeve për t’i asgjësuar dhe sot vijmë më të fortë se asnjëherë.
Ndaj edhe koha nuk është e fjalëve. Koha është e veprimit.
Zotërinj, drejtues të PD kërkohet përkushtim i juaji më i madh jetës suaj. T’u prijmë qytetarëve, t’u prijmë demokrateve e demokratëve në këtë betejë vendimtare”, u shpreh Berisha.