Argita Malltezi ka deklaruar gjatë një konference për shtyp se bashkëshorti i saj, Jamarbër Malltezi po mbahet në arrest në mënyrë të paligjshme.

Sipas saj, Jamarbër Malltezi nuk ishte subjekt i veprës penale për të cilën akuzohet lidhur me dosjen e ish-kompleksit Partizani.

“Arresti ndaj Jamarbër Malltezit ishte i paligjshëm në mënyrë të veçantë, sepse Jamarbër Malltezi, nuk ishte subjekt i veprës penale për të cilën akuzohet.

Akuzohet për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve vendorë dhe nuk ka qenë kurrë në jetën e tij, zyrtar i lartë, apo i zgjedhur vendor. Për rrjedhojë procedimi penal i tij dhe arresti, përbëjnë ndjekje pa ligj që është një shkelje flagrante kushtetutese dhe konventore.

4 gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, nuk u shqetësuan nga ky fakt. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet që çështjen e Jamarbër Malltezit ta bashkojmë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut për ta përshpejtuar këtë proces. Në çdo rast ajo do të jetë një çështje që do i përcillet Strasburgut”, tha Malltezi.

Në konferencë kanë dalë edhe avokatët e kryetarit të PD-së, Sali Berisha, pas shpalljes së pyetjeve të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) lidhur me çështjen në ngarkim të ish-kryeministrit, për pritavizimin e kompleksit “Partizani”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb