Pjesëtarët e Policisë së Kosovës që morën pjesë në arrestimin e shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, do të hetohen nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Hetimet kanë filluar pas ankesës që e ka bërë në inspektorat zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Milan Radojeviç.

Nisjen e grumbullimit të informacioneve e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka.
“Pas ankesës së zëvendësministrit të Punëve të Brendshme ka nisur grumbullimi i informacioneve në lidhje me dyshimet për shkelje eventuale të zyrtarëve policor”, ka thënë Beka.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës do të hetohen lidhur më dyshimet për tejkalim të përdorimit të forcës ditën kur u arrestua Marko Gjuriç.

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se do të ndërmerren veprime të tjera hetimore varësisht nga të gjeturat e këtij procesi të grumbullimit të informacioneve dhe në konsultim me prokurorin kompetent.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Haxhi Shala ka thënë se Inspektorati Policor i Kosovës e ka për obligim që t’i hetojë të gjitha dyshimet, por ka deklaruar se në Komision ende nuk kanë pranuar raport për atë që ka ndodhur me rastin e arrestimit të shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e serbisë, Marko Gjuriç.

“Ne ende nuk kemi raport nga policia për veprimet e policisë në atë aksion. Tash si komision e presim raportin, edhe atëherë mund të konstatojmë se a ka pasur apo nuk ka pasur shkelje. Është detyrë e Inspektoratit që t’i hetojë policinë nëse ka pasur përdorim të forcës jashtë masës”, ka deklaruar Shala.

Shala ka bërë të ditur se komisioni parlamentar do t’i thërras në raportim autoritetet përkatëse për të sqaruar veprimet e policisë në dy raste: arrestimin e Marko Gjuriçit dhe atë të dëbimit të gjashtë qytetarëve turq nga Kosova.

Marko Gjuriç u arrestua me 26 mars të këtij viti në Mitrovicën Veriore. Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës kryen arrestimin pasi atij paraprakisht ju kishte refuzuar kërkesa për vizitë në Kosovë.

Pas arrestimi, Gjuriç u soll në Prishtinë ku pas qëndrimit rreth njëorësh, ai u deportua për në Serbi.
Arrestimi i shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, nxiti rritjen e tensioneve mes Prishtinës e Beogradit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb