Me urdhër të SPAK, mesditën e sotme u arrestua ish-Presidenti i Republikës Ilir Meta, aktuslisht President i Partisë së Lirisë.
Lajmi është pasqyruar në mediat ndërkombëtare, të cilat shkruajnë se Ilir Meta është arrestuar me akuza të dyshuara për pastrim parash.
“Meta, 55 vjeç, u arrestua në kryeqytet, Tiranë, nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, sipas mediave lokale. Stacionet televizive lokale treguan oficerë policie të maskuar dhe me rroba civile duke marrë Metën nga automjeti i tij pasi ai u kthye nga Kosova fqinje përpara mbajtjes së një konference për shtyp.
Sekretari i Përgjithshëm i partisë, Tedi Blushi, e quajti atë “një rrëmbim kriminal”.
Nuk ka pasur asnjë koment të menjëhershëm nga prokuroria.
Meta ka qenë presidenti i mëparshëm i Shqipërisë, i cili ka shërbyer në periudhën 2017-2022. Ai po hetohej për lobim të dyshuar të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara vite më parë. Ai dhe ish-bashkëshortja e tij gjithashtu janë hetuar me akuzat për fshehje të pasurisë dhe të ardhurave të tyre personale.
Meta ka qenë kundërshtar i zëshëm i qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë për drejtimin e një “regjimi kleptokratik” dhe përqendrimin e të gjitha pushteteve legjislative, administrative dhe gjyqësore në duart e Ramës.
Meta ka shërbyer në postet më të larta në Shqipërinë postkomuniste, duke përfshirë si kryeministër, ministër i jashtëm dhe deputet”, thuhet në artikull.
Lajmi për arrestimin e ish-Presidentit të Republikës është publikuar nga Washington Post, AP, Ansa, Abcnews. go. com, Daily News etj.
Meta ishte pjesë e Kuvendit të Shqipërisë në moshën 23 vjeç, që ishte edhe Parlamenti i parë pas rënies së regjimit komunist në vitin 1992. Problemi i sotëm nuk është telashi i parë ligjor për ish-presidentin e Republika.
Në vitin 2010, kur ishte në krye të Ministrisë së Jashtme në Qeverinë e Sali Berishës , ai duhej të jepte dorëheqjen pas publikimit të një videoje ku flitej për një ryshfet prej 700,000 eurosh për ndërtimin e një termocentrali , por u shpall i pafajshëm.