“BalkanWeb” ka zbardhur detaje të reja lidhur me atentatin e ndodhur pasditen e 1 nëntorit, te mbikalimi i Shkozetit, në Durrës, ku u qëllua me breshëri kallashnikovi makina e prokurorit Arjan Ndoji, në të cilën ndodhej edhe shoferi i tij, Andi Maloku, dhe një njeri i njohur i botës së krimit, Pëllumb Muharremi alias Aleksandër Laho, i njohur ndryshe si “Rrumi” i Shijakut.

Pak më parë “BalkanWeb” raportoi se është marrë në pyetje mikesha e personit të vetëm të arrestuar deri më tani si autor i dyshuar i atentatit, Redjan Rrajës, që ishte një modele e njohur.

Ndërkohë, “BalkanWeb” ka zbuluar se bëhet fjalë për një vajzë mjaft të njohur të showbiz-it shqiptar e më gjerë, që është edhe pjesë e modelingut, dhe që është pikërisht Kejvina Kthella. Hetimet kanë zbuluar se modelja e njohur kishte miqësi me Redjan Rrajën, i arrestuar pak ditë më parë, në pikën kufitare të Hanit të Hotit, në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria.

Burime policore thanë për “BalkanWeb” se Kthella kishte bisedime të shpeshta telefonike me 34-vjeçarin Rraja. Ndërkohë, po të njëjtat burime bëjnë me dije se Kthella është marrë në pyetje për të zbuluar më shumë rreth lëvizjeve të Rrajës, ditën e atentatit, por edhe për të mësuar më shumë mbi jetën e këtij të fundit, gjë që mund të ndihmojë hetuesit për zbardhjen e të vërtetës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb