SERBI- Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviç ka deklaruar sot se po bashkëpunohet me EULEX për hetimin e ngjarjes së të enjtes në Kosovë, ku një shtetas serb u ndalua pasi dyshohej se do të kryente një akt terrorist.


“Po bashkëpunojnë me EULEX-in, ndërkohë që është lëshuar dhe urdhri për t’u bastisur banesa e Sllobodan Gavriqit, i cili u ndalua në Prishtinë me një sasi eksplozivi”, ka thënë Stefanoviç.


Në deklaratën e tij për “Tanjug” ai tha dhe se ka dhënë të gjitha informacionet që i ka kërkuar EULEX-i, përfshirë lëvizjet e të dyshuarit. “Do të shohim nëse do të dalin dëshmi që do të jenë të dobishme për hetimet”, tha ai.


Sipas tij, bashkëpunimi me EULEX-in do të vazhdojë derisa të zbardhet rasti. Ndërkohë më herët Ministri i Brendshëm kosovar, Skënder Hyseni tha se ambasadat e huaja në Prishtinë janë duke u përpjekur që të kontaktojnë me autoritetet serbe për ta ndihmuar hetimin e kësaj ngjarje.

(m.k/BalkanWeb)