Analisti Genc Burimi, në një intervistë me Skype në News 24 komentoi arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Burimi tha se SPAK varet nga Uashingtoni. Ai shtoi se kryebashkiaku i Tiranës u arrestua pas humbjes së Joe Biden.

“Veliajn e arrestuan pas humbjes së Biden. Një organ i pavarur nuk ka pse të ketë lidhje me zhvillimet politike në Amerikë. SPAK është prodhim i një pjese të Amerikës. SPAK varet nga Uashingtoni, dje ishte me Biden dhe sot me Trump. Në lidhje me deklaratën e Berishës për shkrirje të SPAK, mund t’ia ndryshojë emrin, asgjë nuk do kishte”, tha Burimi.

Duke folur për Samitin e Francës për luftën në Ukrainë, Burimi nënvizoi se është një samit ndërgjegjësimi. Sipas tij, po synohet “rindarja” e botës mes Amerikës dhe Rusisë.

“Trump po shkon drejt një raporti të ri me Vladimir Putin. Samiti i Francës ishte që Europa mos të lihet jashtë vendimmarrjes. Meloni e quajti Samitin antiTrump. Është Samit ndërgjegjësimi. Trump mund të negociojë për Europën, pa Europën. Sot amerikanët dhe rusët u takuan. Amerikanët kanë qasje ndaj Rusisë. Si mund të garantojë paqe NATO, kur Rusia nuk do NATO as në Ukrainë, por as në vendet e lindjes. Kemi hyrë në një ekuacion të pazgjidhshëm e nuk dimë si do dilet nga situata. Populli ukrainas dhe Zelensky nuk po tërhiqen. Po synohet “rindarja e botës” mes SHBA dhe Rusisë. Sot, Trump e Putin e shohin botën nëpërmjet ekonomisë. Kina është rreziku i përbashkët. Trump kërkon ta sjellë Rusisë në kampin amerikan kundër Kinës. Sot për mua po luhet “Jalta” dhe është e rrezikshme”, deklaroi ai.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb