Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, nga qyteti i Vlorës, ka kërkuar të ndalet linçimi publik që po i bëhet kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Kryeparlamentarja Elisa Spiropali theksoi se askush nuk është mbi ligjin, por edhe askush nën ligjin.

“Duhet të garantohet proces i drejtë, të mbrohen të drejtat kushtetuese dhe njerëzore. Nuk mund të shkelet me këmbë prezumimi i pafajësisë dhe dinjiteti njerëzor. Ndal linçimit publik.”-u shpreh kryeparlamentarja Elisa Spiropali.

Gjatë takimit me studentë nga Universiteti i Vlorës, sipërmarrës, pensionistë, përfaqësues nga OJF, të rinj dhe të reja të qytetit, Spiropali  prezantoi nismën “Kuvend-ON”, një program i cili shtrihet në të gjithë vendin, si një platformë “llogaridhënieje” gjithëpërfshirëse, ku qytetarët nxiten t’i shprehin shqetësimet e tyre drejtpërdrejt Kryetares së Kuvendit.

“Deputetët janë zëri i qytetarëve, përfaqësojnë vullnetin e popullit me vizion për të ardhmen e vendit. Duhet të jemi llogaridhënës, ku kemi qenë, ku jemi dhe ku duam të jemi.

Kemi shënuar shumë arritje, sidomos rritja e rolit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Çelja e negociatave është arritje e jashtëzakonshme dhe brenda tre viteve mund të mbyllim procesin me bindjen për ta bërë Shqipërinë pjesë të familjes së madhe europiane. Të realizojmë ëndrrën e paraardhësve tanë, Shqipërinë europiane.”-u shpreh Spiropali.

 

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb