(Në foto njëri nga atentatorët, Alfred Qefalia)
TIRANE- Dy nga të arrestuarit e ditëve të fundit në Tiranë, dyshohet se janë vrasës me pagesë nga më të rrezikshmit në Tiranë. Njëri prej tyre, Kristi Jovan Pine i arrestuar mbrëmjen e së dielës në zonën e Unazës së Re, dyshohet se ka kryer një seri atentatesh në Tiranë kundrejt pagesës. Një nga atentatet e fundit që ka kryer është ai i datës 5 shtator në periferi të Tiranës. 24 vjeçari Pine bashkëpunonte me Alfred Qefalinë, një tjetër i arrestuar 6 ditë më parë në Babrru, edhe ky i skeduar si një prej vrasësve me pagesë më të rrezikshmit në Tiranë. Sipas të dhënave të mbledhura deri tani rezulton se për atentate janë paguar 20 mijë euro.

Për 29-vjeçarin Qefalia policia shprehet se ka prova që e lidhin drejpërdrejt me eksplozivin e vendosur më 26 shkurt 2014, tek rruga “Budi” ku mbetën të plagosur biznesmeni i pallateve Armando Ceka, truproja e tij Artur Sharra dhe juristi Julian Cela.

Dy shtetasit Kristi Pine dhe Alfred Qefalia vepronin në grup dhe nga hetimi 5 mujor ka rezultuar se ky grup merrte urdhra nga burgu nga Admir Tafili, i cili merrte porosi për vrasje me pagesë, porosi këto që ekzekutoheshin nga dy personat e lartpërmendur. Grupi hetimor do të marrë në pyetje Admir Tafilin për atentatet me pagesë të ndodhura në vend gjatë vitit të fundit. Të njëjtat burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se për një vrasje grupi kriminal paguhej nga 5000 euro deri në 20000 euro. Atentati më i fundit që kanë kryer është ai ndaj një të riu në qytetin e Shkodrës.
Hetimet po vijojnë për kapjen edhe të pjesëtarëve të tjerë të grupit. Në shtëpinë e Qefalisë në momentin e arrestimit janë sekuestruar një arsenal armësh. Gjithashtu në lokalin e Kristi Pines pranë “Astirit” në Unazë të Re, janë gjetur armë të kalibrave të ndryshëm.

QEFALIA, PJESË E TRAFIKUT TË HEROINËS GJERMANI-SHQIPËRI
Alfred Qefalia rezulton i arrestuar në Tiranë në vitin 2010 me një sasi prej 2.8 kilogramë heroinë. Qefalia është vënë në pranga në operacionin me emrin e koduar “Triss”, gjatë të cilit janë vënë në pranga gjithsej 12 persona. Policia deklaroi se grupi ka vepruar në tri shtete ku është zhvilluar edhe aksioni. Kështu, gjatë veprimeve të policisë në Shqipëri, Gjermani dhe Kosovë, janë kryer arrestimet
e para në muajin mars 2010. Arif Zelo, dhe Ermir Dalipaj, të dy nga qyteti i Lushnjës, u arrestuan në fillim të marsit 2011, në një aksion ku forcat e policisë bllokuan dhe pesë armë të ndryshme dhe sasi
municioni. Më pas, operacioni “Triss” ka vazhduar, dhe pas një javë janë arrestuar tre vëllezër me banim në Farkë. Artan dhe Alfred Qefalia, të dy të moshës 26 vjeç, si dhe vëllai tjetër i tyre, Kujtim Qefalia, të cilët banonin në një banesë private në komunën e Farkës, janë arrestuar më 10 mars 2010 dhe në shtëpinë e tyre policia sekuestroi rreth 2.8 kilogramë heroinë. Droga u sekuestrua në banesën e vëllezërve Qefalia, pas një kontrolli rutinë të kryer nga policia. Ata u ndaluan fillimisht ditën e arrestimit për një konflikt të ndodhur në Farkë midis vëllezërve dhe disa personave të tjerë.
Vëllezërit u ndaluan si autorë të plagosjes së dy bashkëmoshatarëve të tyre, por gjatë kontrollit në shtëpinë e tyre policia gjeti dhe bllokoi heroinën.
Sipas policisë së kryeqytetit, personat e arrestuar me akuzën e trafikut të heroinës kanë pasur precedentë edhe në Gjermani. Mësohet se ata janë ndaluar disa herë në Gjermani me sasi të ndryshme lënde narkotike dhe disa prej tyre kanë qenë me shtetësi gjermane.
Emri i Alfred Qefalia përmendet dhe në arratisjen e 7 të dënuarve nga burgu i Drenovës ku ai etiketohet si personi që vendosi jashtë derës sasinë e eksplozivit.

(ma.ar/d.b/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb