Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas arrestimit të shefit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, në Mitrovicën e Veriut. Pëmes një reagimi publik, LDK ka thënë se “i ka përcjell me vëmendje ngjarjet e sotme në veri të vendit”.

“LDK-ja, si gjithherë, e vlerëson profesionalizmin e treguar nga Policia e Kosovës dhe u jep mbështetje të plotë të gjitha institucioneve të sigurisë në ushtrimin e sovranitetin shtetëror në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Njëkohësisht, LDK-ja dënon provokimet e vazhdueshme të Qeverisë së Serbisë, dhe fton komunitetin ndërkombëtarë të përdorë ndikimin për të parandaluar provokimet e tilla që rrezikojnë stabilitetin në rajon”, thekson komunikata.

Po ashtu LDK ka kërkuar që ngjarjet e tilla të mos përdoren për qëllime politike nga askush.
“LDK-ja shpreh besimin se veprimet e institucioneve të Kosovës janë të mbështetura edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Si partia më e madhe politike në vend, LDK-ja do të jetë e vendosur të mos lejojë askënd të nëpërkëmb shtetësinë e Kosovës dhe do të kërkojë përgjegjësi institucionale nga të gjitha institucionet e mandatuara sipas Kushtetutës për të mbrojtur rendin, sigurinë e qytetarëve dhe sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës”, përfundon komunikata e LDK-së.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: