TIRANË- LSI kërkon hetimin nga prokuroria të kryeministrit Edi Rama me akuzën e shpërdorimit të detyrës pasi sipas saj ai ka kërcënuar e kanosur publikisht oficerin Emiljano Nuhu.

Në një deklaratë për mediat, Lëvizja Socialiste për Integrim dënon qëndrimin e Ramës ndaj çështjes ku është përfshirë djali i një deputeti socialist që u arrestuar sot nga policia pas dhunimit të një 25-vjeçare.

LSI kërkon që prokuroria të largohet nga roli i shërbëtores në shërbim të qeverisë dhe të çojë para drejtësisë të gjithë persona që fshehën dhe manipuluan ngjarjen të çfarëdo rangu.

DEKLARATA PËR MEDIA E LËVIZJES SOCIALISTE PËR INTEGRIM
Lëvizja Socialiste për Integrim dënon rrepte qëndrimin e Kryeministrit dhe qeverisë si promovues dhe mbrojtës të dhunës dhe krimit në vend.
Ngjarja shumë e rëndë e dhunimit të një vajzë të thjeshtë në Fushë Krujë dhe fshehja e sa nga strukturat qeveritare që u bënë palë me deputetët e inkriminuar në të është provë se shteti është kapur totalisht nga krimi.

LSI kërkon që prokuroria të largohet nga roli i shërbëtores me shërbim të qeverisë por të hetojë me themel dhe të çojë përpara drejtësisë të gjithë personat e përfshirë në fshehjen dhe manipulimin shtetëror të ngjarjes qofshin këta kryeministra, deputetë, pjesëtarë të policisë, prokurorë etj.
Të hetohen të gjithë veprimet e mosveprimet që sollën në këtë trajtim kriminal të çështjes duke luajtur në mënyrë flagrante me jetën dhe integritetin e një vajze të re të pambrojtur.

Të hetohet sjellja skandaloze e shtetit në raport me nënkomisarin Emiljano Nuhu dhe roli i çdo personi me detyrë shtetërore që ka influencuar negativisht e ka penguar në ushtrimin e detyrës të z.Nuhu.
Të hetohet nga prokuroria shpërdorimi i detyrës nga Kryeministri Edi Rama që ka kërcënuar e kanosur publikisht z.Emiljano Nuhu vetëm sepse ai denoncoi të vërtetën e fshehur nga shteti.

LSI është e vendosur të luftojë deri në fund për zbardhjen e këtyre të vërtetave të cilat janë tashmë para syve të çdo shqiptari.
Qeverinë e zhytur deri në grykë nuk e shpëton dot asgjë dhe opozita së bashku me qytetarët do ta thonë shumë fort fjalën e tyre kundra përdhunuesve e mbështetësve të krimit të veshur me pushtet.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb