ITALI- Vajtje-ardhjet e vazhdueshme, sidomos të të rinjve, kanë sjellë dyshime se diçka nuk shkonte në atë apartament në Laveno Mombello.

Situata ka sjellë dyshime të shumta edhe nga ana e fqinjëve, të cilët shihnin aq shumë njerëz që hynin e dilnin nga apartamenti edhe pa u përshëndetur fare, njerëz të huaj por që kishin diçka të përbashkët.

Kjo e përbashkët ishte droga, marijuanë, që shpërndahej nga një çift shqiptarësh pa precedentë penalë. Bëhet fjalë për dy shtetasit shqiptarë, Sokol Muça, 45 vjeç dhe gruaja Selda Sheqi, 36 vjeçe, e cila kishte në emrin e vetë edhe apartamentin që e ndante me nënën e moshuar.

Pas sinjalizimeve të karabinierëve të Laveno-s, në bashkëpunim me kolegët e tyre të Vareses, të enjten ndodhi edhe arrestimi i tyre pasi çifti ishte kthyer nga një qendër tregtare. Në total 15 kilogramë drogë e sekuestruar, e ndarë në 6 qese. Si depozitë përdornin bagazhin e makinës, një “Ford C Max” e parkuar në garazh.

Përveç drogës janë gjetur edhe disa qese me sallatë e perime, me shumë gjasa të përdorura për të maskuar aktivitetin e tyre ilegal.
Përveç drogës janë sekuestruar edhe një peshore, euro dhe disa telefona. Droga sipas policisë italiane vinte nga Shqipëria, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë.
Seanca e parë gjyqësore ndaj tyre do të mbahet të hënën.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: