ELBASAN- Pranga drejtorit të Ujësjellësit të Elbasanit, shoferit të tij, një biznesmeni dhe një pedagogeje, ndërkohë që dy pedagoge të tjera ndiqen penalisht në gjendje të lirë. Bëhet fjalë për një operacion të bujshëm të policisë së Elbasanit e Policisë së Shtetit, nën siglën “Diploma”, që zbardhi një skemë korrupsioni për marrjen e një diplome.

Hetimet ndaj drejtorit të Ujësjellësit të Elbasanit Altin Cenolli për abuzim me tenderët për kapakët e pusetave dhe matësit e ujit të pijshëm, kanë zbardhur një tjetër skandal që implikon edhe 3 pedagoge në Universitetin e Elbasanit.

Ka qenë prokuroria e këtij rrethi, që ka zbuluar gjithë skemën e korrupsionit në fakultetin ekonomik, ku Drejtori i ujësjellësit Cenolli ndërhynte përmes biznesmenit Gazmend Laloshi,  për të marrë nota kaluese në disa lëndë dhe për të siguruar kredite të mjaftueshme për mbrojtjen e diplomës për shoferin e tij Jani Muslli, i cili ishte student pranë këtij fakulteti.

Ndërhyrja bëhej tek pedagogia, tashmë e ndaluar nga policia, Manjola Tavanxhi dhe dy pedagoget e tjera të cilat ndiqen penalisht me inicale A.Gj dhe R.T.  Sipas policisë gjithë ndërhyrja bëhej përmes pagesës 200 euro për çdo provim. Personat e arrestuar, ndaluar dhe të ndjekur penalisht akuzohen për “Korrupsion pasiv dhe aktiv dhe “Shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim”. Ndërkohë vazhdon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë çështje.

(m.k/News24BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: