Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, ka arrestuar sot në flagrancë një punonjës të policisë së rolit bazë të IEVP-së Fushë Krujë.
Sipas të dhënave zyrtare, gardiani me inicialet B.M., 28 vjeç, nga fshati Luz i Krujës fuste drogë në burg.
Rreth orës 07:30 gjatë kontrollit të ushtruar për të hyrë në regjimin e brendshëm këtij punonjësi iu gjetën e bllokuan një sasi prej 30.8 gramë lëndë narkotike Canabis Sattiva, lëndë narkotike të fshehur në trup.
Kapja në flagrancë e këtij punonjësi u bë nga SHKBB-ja në bashkëpunim me IEVP-në Fushë Krujë. Kontrolli i imtësishëm i këtij punonjësi dhe kapja në flagrancë u bë pas indicieve dhe informacioneve që disponoheshin që më parë nga Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve se ky punonjës policie merrej me aktivitet të kundraligjshëm si futja e lëndëve narkotike në regjimin e brendshëm të IEVP-së Fushë Krujë.
Njëkohësisht gjatë kapjes në flagrancë të këtij punonjësi policie në bashkëpunim me Policisë Vendore Fushë Krujë u ushtrua kontroll në banesën e këtij punonjësi ku në banesën e tij në fshatin Luz të Krujës u gjetën dhe u sekuestruan edhe një sasi tjetër prej 17. 92 gramë lëndë narkotike Canabis Sativa.
Nga ana e SHKBB-së po vazhdon kryerja e veprimeve hetimore për përfshirjen e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.
Materialet procedurale në ngarkim të punonjësit të Policisë B.M, i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, të parashikuar nga nenet 283/1 dhe 324/a i Kodit Penal.
(BalkanWeb)