ELBASAN – Policia e Elbasanit ka vënë në pranga ish-drejtorin e Uzinës së Mjekësit, Daniel Karanxha, i cili ishte shpallur në kërkim për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Pak javë më parë, policia ekzekutoi masat te sigurisë “Arrest me burg” ndaj shtetasve, Kristaq Piligriu, 59 vjeç, me detyrë Kryetar i Degës Ekonomike në Uzinën Lëndëve Plasëse Mjekës. Argjir Panariti, 64 vjeç, ish-inxhinier në Uzinën e Lëndëve Plasëse Mjekës, Stavri Çipa, 59 vjeç, me detyrë Kryeinxhinier në Uzinën e Lëndëve Plasëse Mjekës, si edhe Gëzim Pitja, 53 vjeç, me detyrë inxhinier në Uzinën e Lëndëve Plasëse Mjekës.

Mësohet se arrestimi i tyre u bë në bazë të një hetimi më shumë se dy vjeçar, nga ana e sektorit të hetimit dhe krimit ekonomik e financiar në Polici. Pas mbledhjes së informacioneve të sakta Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, ka caktuar masën e sigurisë “ Arrest me burg”, për veprën penale ”Shpërdorim detyre” dhe “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Më konkretisht ish-drejtori i Uzinës Daniel Karanxha, bashkë me katër personat e arrestuar duke qenë me detyrë kryetar dhe anëtarë të Komisionit Vlerësimit të Ofertave, në Uzinën e Lëndëve Plasëse Mjekës, dyshohet të kenë shpërdoruar detyrën dhe shkelur barazinë e pjesëmarrësve në tendera për tenderin e zhvilluar për “Shitje skrapi dhe lëndëve plasëse TNT”, procedurat e tenderimit “Koncerti i trashëgimisë kulturore shqiptare” si dhe sponsorizime të tjera të kryera nga Uzina Lëndëve Plasëse Mjekës.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb