PRISHTINË– Policia e Kosovës arrestoi sot kryetaren e bordit të Agjencisë kosovare të Akreditimit, Ferdie Zhushi-Etemi dhe një ish-zyrtar të UNDP-së, me inicialet A.M.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, pas shqyrtimit të shkresave të çështjes, si dhe raportin mbi veprimet e ndërmarra nga Departamenti Special Antikorrupsion në Policinë e Kosovës, më 14 nëntor 2014, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve kundër: B.M. zyrtar i Agjencisë kosovare të Akreditimit, F.Zh.E. zyrtare e Agjencisë së Kosovës për Akreditim, si dhe A. M., ish zyrtar i lartë në UNDP.

“Për të pandehurit ekziston dyshimi i arsyeshëm se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, me qëllim që të përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, duke kërkuar përfitime në të holla nga disa pronarë të universiteteve private.

Me këtë të pandehurit B.M. dhe F.Zh.E. në vazhdim dhe bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetin zyrtar nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe së bashku me të pandehurin A.M. në vazhdim dhe në bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale marrja e ryshfetit nga neni 428 par.2 dhe 3 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Prokurori i rastit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka marrë aktvendim për ndalim ndaj dy personave të arrestuar.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb