SHBA- Një adoleshent mysliman i cili u arrestua pasi çoi në shkollë një orë të shpikur prej tij për të cilën mësuesit thanë se dukej si bombë, ka marrë mesazhe përgëzime dhe mbështetje nga personalitete të shquara, përfshirë presidentin Barack Obama.

Ahmed Mohamed, 14 vjeç, nga Irving, Texas, e kishte krijuar vetë orën dhe më pas e kishte çuar në ‘MacArthur High School’, në Irving për t’ia treguar mësuesit të lëndës së inxhinierisë.

Por mësuesi i tij pati dyshime dhe lajmëroi menjëherë policinë, të cilët e arrestuan 14-vjeçarin. Por në një konferencë për mediat ditën e sotme, policia sqaroi se Ahmed ishte i pastër dhe se nuk kishte asgjë të dyshimtë në shpikjen e tij.

Presidenti Barack Obama shprehu mbështetjen e tij në Twitter për adoleshentin: ‘Orë shumë e bukur Ahmed. Ke dëshirë ta sjellësh në Shtëpinë e Bardhë? Duhet të frymëzojmë më shumë fëmijë si ty që të pëlqejnë shkencën. Kjo është ajo që e bën Amerikën të madhe”.

Krijuesi i Facebook, Mark Zuckerberg i nisi gjithashtu një ftesë 14-vjeçarit, ndërsa shkroi në faqen e vet zyrtare në rrjetin social: “Një i ri që ka aftësinë dhe ambicien për të krijuar diçka të bukur duhet të duartrokitet, jo të arrestohet. E ardhmja i përket njerëzve si Ahmed. Nëse ke dëshirë të vish në Facebook, do të isha shumë i lumtur të të takoja”.

Ndërkohë, Bobak Ferdoswi, një inxhinier sistemi në NASA shkroi: “Hej Ahmed, më bëj një telefonatë pas disa vjetësh. Ne përdorim gjithmonë njerëzit e zgjuar, kurioz dhe kreativë”. (Shqip)
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: