KOSOVË

Partia Socialdemokrate e Kosovës thotë se Policia e Kosovës ka arrestuar deputetin Dardan Mulliqaj, bashkëshortin e ministres së Arsimit të Shqipërisë, Besa Shahini. Siç njoftojnë mediat kosovare, Mulliqaj është arrestuar  në banesën e tij dhe nuk ka qenë i njoftuar më parë për seancë apo për paraqitje në gjykatë.

Ministrja Besa Shahini pak kohë më parë kurorëzoi martesën me deputetin kosovar, veprim ky që mori vëmendjen e mediave kosovare dhe atyre shqiptare.

“Molliqaj është arrestuar nën arsyetimin për pjesëmarrje në protestën për lirimin e deputetit Albin Kurti, në vitin 2015. Arrestimi i deputetit në fjalë ka qenë në kundërshtim me liritë dhe të drejtat e njeriut dhe në shkelje të plotë të procedurave ligjore. Për këtë arsye, ajo protestë ka qenë e drejtë dhe e nevojshme”, thuhet në njoftimin e PSD-së.

Partia ku bën pjesë deputeti Mulliqaj ka kërkuar menjëherë lirimin e tij.

“PSD është për shtet të së drejtës, ku respektohet liria për protestë dhe kritikë. Prandaj, për ne është e papranueshme çfarëdo përpjekje për cenimin e tyre”, thuhet në reagimin e PSD-së.

(n.m/balkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb