Policia gjermane arrestoi një të dyshuar lidhur me vrasjen e deputetit 65-vjeçar, Walter Luebcke, i cili u qëllua në kokë nga një distancë e afërt një javë më parë, bëri të ditur një zëdhënës i policisë.

Zëdhënësi nuk pranoi të japë detaje mbi të dyshuarin duke cituar se hetimet janë në vazhdim.

Sipas një raporti të gazetës ”Frankfurter Allgemeine Zeitung”, i dyshuari është një djalë i ri, me lidhje private me Luebcke. Sipas raportit, djaloshi u mor në pyetje sot pasdite dhe burime të afërta me hetimin deklaruan se autori i veprës ishte identifikuar.

Luebcke, anëtar i Bashkimit Kristian-demokrat (CDU) të kancelares Angela Merkel, u gjet i vdekur menjëherë pas mesnatës, më 2 qershor, nga një i afërm në tarracën e kopshtit të shtëpisë së tij në fshatin Wolfhagen-Istha, pranë qytetit të Kasselit.

Luebcke kishte qenë në krye të këshillit rajonal të Kasselit, në shtetin perëndimor të Hesses dhe për disa vite shërbeu si parlamentar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb