KAVAJË- Policia e Kavajës arrestoi dje në orët e para të mëngjesit një 28-vjeçar, i cili dyshohet se ka përdhunuar dhe kërcënuar një vajzë të mitur.

Ngjarja ishte denoncuar në Polici më datë 7 korrik nga nëna e së dëmtuarës, ndërsa arrestimi është bërë pasi janë siguruar provat e nevojshme që e implikonin atë në ngjarje. Burime nga Policia e kryeqytetit thanë se i arrestuari është shtetasi Klodian Lila, ndaj të cilit ishte regjistruar një procedim penal që pas kallëzimit të shtetases A.Zh., 36 vjeçe, e cila pretendonte se i dyshuari i kishte dhunuar seksualisht të bijën, shkruan Panorama.

Madje, sipas saj, ai e kërcënonte me jetën e saj dhe të pjesëtarëve të familjes në rast se ajo do të tregonte. Për këtë arsye, 13-­vjeçarja me iniciale A.Zh., e cila është vajza e dhunuar, ka pasur frikë që të flasë me familjarët dhe aq më tepër që të denonconte ngjarjen në Polici. Të njëjtat burime thanë se Lila, i cili e kishte fqinjë vajzën e mitur, e ka përdhunuar atë rreth një muaj më parë dhe që nga ajo kohë ka vazhduar të kryejë marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj në mënyrë sistematike.

Sipas Policisë, ai e kërcënonte që të mos tregonte për atë që ndodhte mes tyre, në të kundërt do ta vriste atë, ose ndonjë prej të afërmve të saj. Megjithëse për disa ditë me radhë 13-­vjeçarja nuk e ka paditur për shkak se ndihej nën presion, mbrëmjen e 6 korrikut, në gjendje mjaft të rënduar psikologjike, ajo ka vendosur që t’i tregojë nënës së saj se çfarë i kishte ndodhur.

Të nesërmen në mëngjes, të dyja i janë drejtuar Komisariatit të Kavajës, ku kanë denoncuar për dhunë seksuale e kanosje fqinjin e tyre, Klodian Lila. Në momentin që i merrej kallëzimi 13-­vjeçares A.Zh., ka qenë e pranishme edhe një psikologe për shkak se vajza kishte shfaqur probleme psikologjike, pasojë e dhunës së vazhdueshme seksuale që ishte ushtruar ndaj saj dhe frikës nga kërcënimet. Policia tha se menjëherë pas kallëzimit filloi procedimi penal ndaj 28-­vjeçarit Klodian Lila, ndërsa vajza iu nënshtrua një ekzaminimi mjekoligjor, që provoi përdhunimin.

Dy ditë pasi kishte filluar procedimi penal ndaj tij, Lila kishte mësuar se ishte kallëzuar nga e mitura dhe ishte fshehur tek disa të afërm të tij. Deri sa dje në orët e para të mëngjesit, Policia e Kavajës arriti të zbulojë vendndodhjen e tij dhe ta arrestojë.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: