Një nga politikanet më me ndikim në Maldive është arrestuar për ‘kryerjen e një magjie të zezë’ ndaj presidentit.

Fathimath Shamnaz Ali Saleem, ministre për Mjedisin, Ndryshimet Klimatike dhe Energjinë, u arrestua të dielën së bashku me dy të tjerë në kryeqytetin Male.
Sipas mediave lokale, ajo kreu një ritual magjik kundër liderit të republikës Mohamed Muizzu, i cili mori postin në nëntor 2023.

Ajo është lënë në paraburgim për një javë në pritje të hetimeve, por policia nuk konfirmoi asnjë raport për ‘magji të zezë’. Mësohet se oficerët bastisën shtëpinë e Shamnazit dhe konfiskuan sende që sipas burimeve mund të ishin përdorur për një ritual.

Pozicioni ministror i Shamnaz është një nga më të rëndësishmit në kabinet, pasi Maldivet janë në vijën e parë të katastrofës klimatike.

Magjia e zezë, e njohur si ‘fandita’ ose ‘sihuru’, është një besim i përhapur në Maldive, pavarësisht se konsiderohet një vepër e rëndë sipas ligjit islamik, e cila mbart një dënim prej gjashtë muajsh burg.

Në vitin 2016, u pretendua se “magjia e zezë” ishte vendosur për të sabotuar rivalët e Abdulla Yameen Abdul Gayoom, i cili shërbeu si president i Maldiveve nga 2013 deri në 2018.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb