Policia vijon arrestin e personave, që sipas uniformave blu, po tentojnë të bllokojnë zhvillimin normal të procesit zgjedhor.

Këtë pasdite, policia ka vënë në pranga një punonjës të Bashkisë së Devollit, i cili akuzohet për “Pengim të subjekteve zgjedhore”. Në pranga ka rënë 26-vjeçari K. K., me detyrë punonjës i shërbimit zjarrfikës në këtë bashki.

Sipas policisë, i riu është denoncuar nga kandidati i pavarur për kryetar bashkie në Devoll, F. Sh., sipas të cilit, gjatë një takimi elektoral ai ka goditur në trup dhe fytyrë një prej anëtarëve të stafit të tij elektoral.

Njoftimi i policisë:
Arrestohet një punonjës i Bashkisë Devoll, për veprën penale “Pengimi i subjekteve zgjedhore”. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Devoll, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit: K.K, 26 vjeç, banues në Bilisht (me detyrë punonjës i shërbimit zjarrfikës pranë Bashkisë Devoll).

Arrestimi i tij u bë pas kallëzimit të bërë nga shtetasi F.Sh, 33 vjeç, banues në fshatin Gracë, Devoll (kandidat i pavaruar për Kryetar Bashkie në Devoll), i cili ka deklaruar se më datë 19.06.2019, gjatë një takimi elektoral të zhvilluar në fshatin Miras nga ana e këtij subjekti të pavaruar, shtetasi K.K, ka goditur në trup e fytyrë një prej anëtarëve të stafit të tij elektoral, konkretisht shtetasin A.Ç, 56 vjeç, banues në Miras.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: