Udhëheqësja e opozitës në Venezuelë, Maria Corina Machado u arrestua të enjten kur autokolona e saj me motoçikleta u qëllua nga forcat e sigurisë teksa po largohej nga një protestë antiqeveritare në Karakas, thanë këshilltarët e saj.

Maria Machado doli nga periudhë disa mujore fshehjeje më herët të enjten, duke u rishfaqur në publik si pjesë e një përpjekjeje të fundit për të bllokuar presidentin Nicolás Maduro të qëndrojë në pushtet.

Zëdhënësit e zonjës Machado thanë përmes një postimi në mediat sociale se forcat e sigurisë “ndaluan me dhunë” autokolonën e saj ndërsa ajo po largohej nga pjesa lindore e Karakasit.

“Ata donin që ne të luftonim njëri-tjetrin, por Venezuela është e bashkuar, ne nuk kemi frikë”, tha zonja Machado para disa qindra protestuesve nga një kamion në kryeqytet, pak para arrestimit të saj.

Nuk kishte detaje të menjëhershme për vendndodhjen e saj dhe qeveria e presidentit Maduro ende nuk ka bërë komente për këtë incident. Por arrestimi tronditës nxiti thirrjet për lirimin e saj të menjëhershëm nga qeveritë dhe udhëheqësit e vendeve të Amerikës Latine dhe më gjerë.

Machado, 57 vjeç, është një ish-ligjvënëse e linjës së ashpër, e cila qëndroi dhe luftoi kundër Maduros edhe pasi shumë prej aleatëve të saj në udhëheqjen e opozitës u larguan, duke iu bashkuar një eksodi prej rreth 7 milionë venezuelianëve që kanë braktisur atdheun e tyre vitet e fundit.

Mbështetësit e pushteti aktual që kontrollojnë gjyqësorin e vendit e ndaluan atë të kandidonte kundër Maduros vitin e kaluar. Në një lëvizje të shkathët, ajo mbështeti një kandidat të panjohur, diplomatin në pension Edmundo González, i cili fitoi ndaj presidentit Maduro me një diferencë më shumë se dy me një, sipas të dhënave të mbledhura nga opozita dhe të vërtetuara nga vëzhguesit ndërkombëtarë.

Edmundo González, i cili ndodhet jashtë vendit, në cilësinë e presidentit të zgjedhur të Venezuelës, të njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera, bëri thirrje për lirimin e zonjës Machado.

Por, presidenti Maduro shpalli fitoren pas zgjedhjeve dhe po bën përgatitjet për fillimin e mandatit të ri.

Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë e tjera e kanë njohur gjithashtu zotin González si president të zgjedhur të Venezuelës. Shumë nga ish-aleatët e majtë të zotit Maduro në Amerikën Latine nuk pritet të marrin pjesë në ceremoninë e betimit të tij, që do të mbahet të premten.

Presidenti Joe Biden, gjatë një takimi me zotin González këtë javë në Shtëpinë e Bardhë, lavdëroi diplomatin venezuelian për “frymëzim të miliona njerëzve”.

“Populli i Venezuelës meriton një transferim paqësor të pushtetit tek fituesi i vërtetë i zgjedhjeve të tyre presidenciale”, tha Presidenti Biden pas takimit./VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb