Nga: SPARTAK KOKA*
Disa ditë më parë, SHÇBA (Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat) ose siç njihej më parë me emrin SHKB, publikoi një raport ku evidentohej se përgjatë 6-mujorit të parë të vitit 2015 janë arrestuar 28 punonjës policie. Duke e paraqitur kësisoj punën e këtij institucioni si mjaft rezultative në luftën kundër korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës brenda radhëve të organizatës së policisë. Në pamje të parë, një shifër e tillë është premtuese se po punohet seriozisht për t’ia arritur qëllimit.
Por, e vërteta qëndron krejt ndryshe dhe nisur nga faktet në terren dhe ajo çka evidentohet çdo ditë nga qytetarët, ky Shërbim Inteligjent (SHÇBA) ka dështuar të përmbushë misionin e tij në shërbim të qytetarit.
Nisur nga arrestimet e 28 punonjësve, asnjëri prej tyre nuk është “shef”( përjashtuar arrestimin e Artan Bajraktarit, që u konsiderua nga gjykata arrestim i paligjshëm, arrestim ky që u iniciua nga inspektorët e ministrit dhe jo nga SHÇBA, që e ka konsideruar sukses të punës 6-mujore).
Të gjitha arrestime inspektorësh dhe kryeinspektorësh të ndaluar për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm” apo “korrupsion aktiv”, thënë më thjesht, po goditet korrupsioni i vogël, ai që është kthyer në një trend të goditjes së SHKB në këto vitet e fundit për statistikë, thjesht të mbushet numri dhe të rritet ky numër procedimesh apo arrestimesh nga viti në vit dhe të “shitet” e gjitha kjo si një arritje në luftën kundër korrupsionit brenda radhëve të policisë.
Sigurisht që edhe ky lloj korrupsioni duhet të mos ekzistojë dhe veprime të tilla të paligjshme të marrin ndëshkimin e duhur dhe mirë bëjnë që punojnë drejtuesit e SHKB, por kjo nuk është rruga e duhur.
Shqetësimi është diku tjetër, ku realiteti tregon se lufta ndaj korrupsionit në polici ka dështuar!
Asnjë shef komisariati i arrestuar, asnjë drejtor apo nën drejtor i policisë në qarqe i proceduar penalisht, asnjë shef i sektorëve kyç të policisë i prekur nga ndëshkimi i ligjit. Përse? A thua se këta janë shenjtorë dhe të dëlirë dhe nuk marrin para apo euro, që SHKB nuk gjen as një gjysmë prove që të ngre të paktën një dyshim të arsyeshëm ndaj ndonjërit prej tyre?
Përgjigja sigurisht që është e thjeshtë për këdo që ka punuar dhe punon në polici, për këdo që ka sadopak lidhje me strukturat policore. Të gjithë të japin të njëjtën përgjigje, korrupsioni i vërtet bëhet në disa nivele drejtuese, e sigurisht që ata janë të paktë, por që njollosin imazhin dhe integritetin e të gjithë organizatës policore. Ata nuk ndëshkohen dhe as mund të preken, por vetëm thjesht zhvendosen sepse janë pjesë e tarafit, e atij lloji tarafi që është i mpleksur me lidhje të ndryshme që nga ato politike, biznesi apo kupola grupesh kriminale. Po ju sjell disa fakte që njihen mirë nga SHKB (SHÇBA) si dhe brenda radhëve të policisë.
Përse nuk u arrestua shefi i një komisariati në qytetin më të rëndësishëm të vendit, kur u kap “gafil” që kishte marrë një apartament 2+1 falas si favor në këmbim të “mbylljes së syve” për tri katet e fundit pa leje?
I vetmi “ndëshkim” për të ishte transferimi si shef komisariati në një qytet periferik.
Përse nuk u arrestua një tjetër shef komisariati që lejoi në periferi të Tiranës shtesë katesh në të paktën 14 pallate në këmbim të 5 milionë lekëve për kat apo të një ndërtimi tërësisht pa leje në këmbim të 10 mijë eurove (rast ky që banorët e zonës në periferi të kryeqyteti e kanë denoncuar në të gjithë instancat shtetërore)?
I vetmi ndëshkim për të ishte transferimi si specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Përse nuk u arrestua shefi i Burimeve Njerëzore në një drejtori qarku, të cilit iu evidentuan disa raste ku merrte për çdo transferim në një pozicion pune më të mirë, të një punonjës policie nga 2000 deri në 3000 euro?
I vetmi “ndëshkim” për të ishte transferimi si komandant grupi i rojeve të objekteve.
Do të vazhdoja më tej me raste të tjera ku shefa komisariatesh apo shefa krimesh kanë marrë shuma të ndryshme eurosh (tashmë nuk pranojnë as lekun) në këmbim të favoreve të ndryshme, raste këto që njihen, por që nuk mund të ndëshkohen për shkak të tarafit ku bëjnë pjesë.
Po rastet e favorizimit të mbjelljes së lëndëve narkotike në këmbim të “pjesës” për komisarin a janë kapur në Shqipëri? Përgjigja është jo.
Po SHKB-në kush e mbikëqyr?
Partnerët ndërkombëtarë shprehen se “shërbimi ka qenë dhe vijon të mbetet pa potencialin e plotë të funksionimit të tij dhe pa të njëjtin sukses si agjencitë e mbikëqyrjes policore në vendet e tjera…”
Të gjithë në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit e dinë se në shumë raste, në këmbim të heshtjes apo të mos hetimit, drejtues të këtij institucioni apo inspektorë marrin “llokmën” e tyre nga paraja e përgjithshme që mblidhet nga përfitimi në mënyrë të paligjshme në kurriz të funksionit publik nga shefa komisariatesh etj.
Në këtë rast binomi polici-SHKB kthehet në një mekanizëm të frikshëm, që në funksion të pasurimit të shpejtë, përdor detyrën publike nëpërmjet kontos së korrupsionit.
Si mund të shpjegohet teorikisht që një drejtor policie dhe një drejtor rajonal apo qendror SHKB-je të drekojnë në mënyrë sistematike me njëri-tjetrin, të kalojnë pushimet së bashku? Për punë? Nuk mendoj.
Të gjithë në polici e dinë se për disa drejtorë policie qarku, përfitimi mujor shkon nga 20 deri në 50 mijë euro.
Të gjithë në polici e dinë se për disa shefa komisariatesh përfitimi mujor shkon nga 10 deri në 15 mijë euro.
Rasti i fundit i Kavajës me pezullimin e shefit të komisariatit tregon dhe njëherë se, pavarësisht vullnetit të mirë të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për të vendosur në vend dinjitetin e policisë në Kavajë, ingranazhet e sistemit të luftës kundër korrupsionit ose janë thyer dhe nuk lëvizin, ose lëvizin aq ngadalë dhe zhurmshëm, duke sjellë ineficiencë në goditjen ndaj fenomenit.
E pra, kjo nuk është policia që duam si qytetarë. Nuk është policia që duan as ata qindra punonjës policie dhe dhjetëra drejtues me integritet dhe profesionalizëm të lartë, që i kanë shërbyer dhe vijojnë t’i shërbejnë me devotshmëri misionit fisnik të policit, për rend dhe siguri publike. Nuk është as ajo që kanë parashikuar dhe as ajo që duan ministri i Brendshëm, edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë.
Korrupsioni endemik ka përfshirë ndër vite policinë shqiptare dhe ky niveli i “maisjes së sëmundjes” nuk po gjen përmirësim nga agjenci parazitare të ngarkuara me një detyrë të tillë.
Niveli i perceptimit për korrupsionin në polici në Bashkimin Europian është diku tek 34%, ndërsa Shqipëria perceptimin për korrupsionin në polici e ka në nivelin e 58%-60%. E thënë ndryshe, më shumë se gjysma e popullsisë mendojnë se policia është e korruptuar.
Në këtë rast, pa frikë lind nevoja për domosdoshmërinë emergjente të një strategjie të re për minimizimin e korrupsionit, duke përfshirë edhe një plan të saktë të rritjes së pagave të punonjësve të policisë. Kjo, si domosdoshmëri për rritjen e eficiencës në shërbim të komunitetit. Me këtë nivel pagash që kemi, policët bëhen lehtësisht të prekshëm nga korrupsioni, por kjo nuk mund të legjitimojë humbjen e besimit të qytetarëve ndaj policisë.
Komisioni Knapp, i cili hetoi korrupsionin në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut në fillim të viteve 1970, i ndau oficerët e korruptuar në dy lloje: “mishngrënësit”, të cilët në mënyrë agresive keqpërdorin kompetencat e tyre policore për përfitime personale dhe “barngrënësit”, të cilët thjesht pranojnë përfitime nga puna që bëjnë në rrugëtimin e tyre në polici. Tek ne, mish-ngrënësit vijojnë të qetë dhe të padëmtuar. Korrupsioni në polici jo vetëm që gjeneron mosbesim në komunitet, por prish sistemin e drejtësisë penale në tërësi.
Teoria “Rotten Apple” sugjeron se një polic i keq shkatërron tërë departamentin, ne në vendin tonë nuk kemi nevojë për një figurë të tillë policore, por për shembuj që motivojnë dhe rrisin e besimin ndaj policisë. Për drejtues të rinj, të përgatitur mirë profesionalisht dhe me integritetin e duhur për t’u përballur me krimin.
Brenda policisë shqiptare ka shumë të tillë, jepuni mundësinë t’i shërbejnë vendit.

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: