TIRANE – Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) rekomandojnë drejtuesit e mjeteve që të kenë kujdes, për shkak të reshjeve intensive që kanë rënë gjatë ditëve të fundit, si dhe të përdorin zinxhirë në disa nga akset rrugore, për shkak të fillimit të reshjeve të dëborës dhe ngricave të formuara. Bëhet me dije se për ditën e sotme deri në orën 16:00, situata e kalueshmërisë së akseve rrugore paraqitet si më poshtë:
QARKU TIRANË
Ka përmirësime gjatë ditës në disa nga akset. Vetëm në aksin Qafë Molle-Bize lëvizja bëhet me zinxhirë, për shkak të pranisë së ngricave në rrugë. Eshtë kryer spërkatja me kripë. Të bëhet kujdes në lëvizje, sepse ka prezence të akullit dhe të respektohet sinjalistika.
QARKU DURRËS
Nuk ka probleme në akset e këtij qarku. Të bëhet kujdes në qarkullim, dhe të respektohet sinjalistika rrugore.
QARKU ELBASAN
Aksi Librazhd-Lunik është i hapur dhe qarkullohet normalisht. Segmenti Lunik–Fushe Stude qarkullohet me vështirësi me zinxhirë, si pasojë e reshjeve të borës. Segmenti Fushë Stude–Stebleve është i bllokuar. Qarkullimi normal në segmentin Librazhd –Q.Thanë. Eshtë spërkatur me kripë gjatë orëve të para të mëngjesit. Qarkullimi kryhet normalisht pa zinxhirë në këtë aks. Aksi Elbasan–Gjinar momentalisht i bllokuar për shkak të çedimit prej më shumë se 2.5-3 m të trupit të rrugës në fshatin Shelcan. Po në këtë segment, 300 m nga rruga kryesore ka rreth 30 cm cedim në një gjatësi 40ml (përballë kompleksit KRIVA). Aksi Cërrik-Banje-Gramsh është i bllokuar për shkak të daljes së lumit Devoll. Qarkullimi bëhet nëpërmjet aksit Gramsh–Kaçivel–Elbasan. 1,5 km përpara vendit të përmbytjes te diga e Banjës, ka shembje nga skarpata në 3 vende me gjatësi 200ml. Qarkullimi bëhet me një kalim. Në segmentin Librazhd – Lunik nuk ka probleme për qarkullimin. Segmenti Lunik – Fushe Stude qarkullohet me vështirësi me zinxhirë. Eshtë ndërprerë qarkullimi në këtë pikë të aksit Elbasan -Gjinar. Të bëhet kujdes në zonat ku ka rrëshqitje të rrugës.
QARKU BERAT
Në aksin Ura e Pilzes –Corovode ka rënie gurësh në zonën e shkëmbit të “Selanit”. Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve në akset e tjera të qarkut. Të bëhet kujdes me qarkullimin në akset ku ka rrëshqitje, si pasojë e reshjeve të dendura të këtyre ditëve.
QARKU VLORË
Qarkullimi kryhet normalisht në të gjitha akset e këtij qarku. Të bëhet kujdes në qarkullim, sidomos në segmentet ku ka rrëshqitje të materialeve në rrugë.
QARKU GJIROKASTËR
Në aksin Gjirokastër-Tepelenë ka rënie gurësh në rrugë në vendin e quajtur Shkalla e Zezë. Në zonën e Rrapit të Kuqarit në Përmet ka rënie gurësh, rruga është me një kalim. Po punohet nga kontraktorët për pastrimin e akseve në të dy këto segmente. Në aksin Përmet–Çarshove, 2 km pa shkuar në Petran, ka një gërryerje të rrugës nga uji. Eshtë vendosur sinjalistika përkatëse. Në aksin Kufi Tepelene-Gjirokastër, në afërsi të fshatit Shtëpëz, ka ndodhur një shkarje masive në krahun e poshtëm të rrugës. Janë marrë masat për vendosjen e sinjalistikës përkatëse, pasi ka devijim të drejtimit të lëvizjes. Ju lutemi përdoruesve të rrugës të respektojnë sinjalistikën e vendosur. Të bëhet kujdes në zonat ku ka rrëshqitje dhe prani të ujit në rrugë. Përdoruesit e rrugës të zbatojnë sinjalistikën e vendosur në segmentet ku ka shkarje. Në Valare –Erind- Çajup të përdoren zinxhirë në 3 km e fundit. Të bëhet kujdes me qarkullimin në Qafën e Muzinës, në orët e para të mëngjesit dhe në orët e mbrëmjes.
QARKU KORÇË
Temperaturat vazhdojnë të jenë të ulëta edhe gjatë orëve të ditës. Është kryer kriposja e akseve dhe po vazhdojnë edhe në këto momente. Rrugët janë të hapura, por në disa akse rekomandohet të përdoren zinxhirët. Po vazhdon puna për normalizimin e situatës. Të gjithë akset janë pastruar dhe është kryer kriposja e akseve. Situata mbahet në monitorim të vazhdueshëm. Të bëhet kujdes në qarkullim. Për shkak të temperaturave të ulëta, akset e Korçës qarkullohen me zinxhirë. Mjetet rekomandohen që të mos lëvizin pa zinxhirë, sepse krijojnë probleme në qarkullim, sidomos në Qafe Plloçe dhe në Qafe Thane. Akset ku qarkullohet me zinxhirë janë: Korce–Erseke; Erseke–Carshove; Korce –Voskopoje; Korcë–Dardhë.
QARKU KUKËS
Në të gjithë qarkun ka reshje bore që shkon deri në 10 cm. Po punohet për pastrimin e rrugëve dhe hedhjen e kripës. Përsëri ka patur shembje në aksin Traget–Lekbibaj, që kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim. Për shkak të temperaturave të ulëta ka prezencë ngricash në rrugë. Janë marrë masat për spërkatjen e akseve me kripë. Qarkullimi kryhet pa zinxhirë. Të tregohet kujdes në qarkullim si pasojë e ngricave dhe lagështisë në rrugë.
QARKU DIBËR
Kohë me temperatura të ulëta. Si pasojë ka prezencë ngricash në rrugë. Janë marrë masat për pastrimin e rrugëve dhe për kriposjen e akseve. Vetëm në segmentin Dragalice–Stebleve ka patur reshje bore. Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në segmentet Qafe Dragalice–Stebleve.
QARKU SHKODËR
Ka rënie të temperaturave në të gjithë qarkun. Si rezultat ka prani të ngricave në rrugë. Rrugët janë spërkatur të gjitha me kripë. Në Pukë ka reshje të dobëta bore. Në aksin Shkodër-Qafe Qele, në Ganjolle, për shkak të rrëshqitjes se dherave qarkullimi vazhdon të kryhet me një korsi të zgjeruar. Po punohet për ta bërë rrugën me dy kalime. Të gjithë akset kanë kriposur, si pasojë e pranisë së ngricave. Të bëhet kujdes në qarkullim, si pasojë e kohës me ngrica. Të gjitha akset qarkullohen pa zinxhirë.
QARKU FIER
Gjendja në akset e Fierit është normale. Kthesa e Visokes në aksin Fier- Ballsh ka rënie dherash në rrugë. Të bëhet kujdes në qarkullim. Të bëhet kujdes në lëvizje, për shkak të reshjeve dhe të respektohet sinjalistika rrugore.
QARKU LEZHË
Kohë me vranësira e temperatura të ulëta. Të gjithë akset janë kriposur. Nuk ka probleme për qarkullimin në të gjitha akset e këtij qarku. Të gjitha akset qarkullohen normalisht.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: