TIRANE – Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) rekomandojnë drejtuesit e mjeteve që të kenë kujdes në disa akse rrugore, për shkak të reshjeve dhe përmbytjeve dhe të zbatojnë rregullat e qarkullimit. Edhe pse situata është përmirësuar gjatë paradites së sotme, në akse të caktuara vazhdojnë problematikat. Bëhet me dije se për ditën e sotme deri në orën 15:30, situata e kalueshmërisë së akseve rrugore paraqitet si më poshtë:
QARKU TIRANË
Ka patur reshje bore në akset Trau Dajt-Qafe Molle-Bize, Trau Dajt-Antena dhe Qafe Priskë-Shëngjergj. Qarkullimi kryhet normalisht në gjithë akset e tjerë të këtij Qarku. Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në segmentin Qafe Priskë-Bize. Të bëhet kujdes në lëvizje dhe të respektohet sinjalistika.
QARKU DURRES
Nuk ka probleme në akset e këtij qarku. Të bëhet kujdes në qarkullim, dhe të respektohet sinjalistika rrugore.
QARKU ELBASAN
Ka reshje shiu të herëpashershme dhe në zonat malore ka edhe reshje bore. Në aksin Librazhd-F.Stude ka rreth 40 cm dëbore, po punohet për pastrimin dhe kriposjen e aksit. Segmenti F.Stude–Stebleve është i bllokuar. Në segmentin Librazhd–Q.Thanë ka rreth 35 cm borë në të dyja anët e rrugës, por asfalti është i pastër. Eshtë spërkatur me kripë. Aksi është i kalueshëm pa zinxhirë. Aksi Elbasan–Gjinar momentalisht i bllokuar për shkak të cedimit prej më shumë se 2. 5 m të trupit të rrugës në fshatin Shelcan. Segmenti Shelcan–Gjinar ka rreth 25-30 cm dëborë. Po merren masa për pastrimin. Aksi Cërrik-Banjë-Gramsh është i bllokuar për shkak të daljes së lumit Devoll. Në aksin Elbasan-Cingare-Gramsh ka patur dalje dherash e gurësh në rrugë. Janë marrë masa për pastrimin e aksit dhe tani qarkullimi kryhet normalisht. Rënie gurësh e dherash ka patur edhe në Derven, në aksin Elbasan-Rrogozhine. Eshtë pastruar aksi dhe qarkullimi kryhet normalisht. Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në aksin Librazhd–F.Stude. Të bëhet kujdes në zonat ku ka rrëshqitje të rrugës. Të evitohet kalimi nga këto akse. Eshtë ndërprerë qarkullimi në këtë pikë të aksit Elbasan-Gjinar. Qarkullimi bëhet nëpërmjet aksit Gramsh–Kaçivel–Elbasan.
QARKU BERAT
Në aksin Ura e Pilzes–Corovode ka rënie gurësh në zonën e shkëmbit të “Selanit”. Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve në akset e tjera të qarkut. Të bëhet kujdes me qarkullimin në akset ku ka rrëshqitje, si pasojë e rrëshjeve të dendura të këtyre ditëve.
QARKU VLORE
Aksi i vjetër Levan-Vlorë është i mbyllur te Ura e Mifolit, si pasojë e daljes së ujit në rrugë. I bllokuar për momentin është edhe një pjesë e aksit Vlorë – Selenicë, te Bishti i Malit, si pasojë e daljes së Vjosës. Të evitohet qarkullimi në akset e përmbytura nga uji i Vjosës. Aksi i Llogorasë është pastruar, por duhet patur kujdes në orët e mbrëmjes nga ngricat e mundshme.
QARKU GJIROKASTER
Në aksin Gjirokastër-Tepelenë ka rënie gurësh në rrugë, në vendin e quajtur Shkalla e Zezë. Në zonën e Rrapit të Kuqarit në Përmet ka rënie gurësh, rruga është me një kalim. Po punohet për pastrimin e akseve në të dy këto segmente. Të bëhet kujdes në zonat ku ka rrëshqitje dhe prani të ujit në rrugë.
QARKU KORÇE
Temperaturat përgjatë orëve të ditës kanë qenë disa gradë mbi 0. Kjo ka sjellë një përmirësim të dukshëm të kalueshmërisë në akset e qarkut të Korçës. Eshtë kryer kriposja e segmenteve apo pjesëve të veçanta të akseve rrugore, ku ka patur prezencë akulli, për të evituar problematiken nga ky fenomen. Kriposja po vazhdon edhe përgjatë këtyre orëve. Situata po mbahet nen monitorim për orët në vazhdim. Të bëhet kujdes në qarkullim. Të gjitha mjetet duhet të jenë të pajisura me zinxhirë. Vetëm në aksin K/Boboshticë-Dardhë rekomandohen zinxhirët.
QARKU KUKES
Kanë pushuar reshjet e dëborës. Rrugët janë pastruar dhe janë kriposur. Qarkullimi kryhet pa zinxhirë në të gjitha akset. Përsëri ka patur shembje në aksin Traget–Lekbibaj, që kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim. Qarkullimi kryhet pa zinxhirë. Të tregohet kujdes në qarkullim si pasojë e borës dhe lagështisë në rrugë.
QARKU DIBER
Kanë pushuar reshjet e dëborës. Rrugët janë pastruar dhe janë kriposur. Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve në pothuaj shumicën e akseve. Rekomandohen zinxhirët në segmentin rrugor Q.Dragalice–Stableve dhe në segmentin Muhur–Qafe Draj. Të bëhet kujdes, sepse nga reshjet mund të shkaktohen rrëshqitje dherash.
QARKU SHKODER
Momentalisht kanë pushuar reshjet e dëborës, por ka ngrica. Rrugët janë pastruar dhe janë kriposur. Edhe në aksin Shkodër-Qafe Qele, në Ganjolle, për shkak të rrëshqitjes se dherave qarkullimi vazhdon të kryhet me një korsi e me vështirësi. Gjatë natës kanë rënë reshje bore në 3 km e fundit të aksit Mes–Prakal. Eshtë bërë pastrimi dhe kriposja e aksit. Qarkullimi kryhet pa probleme. Gjatë natës ka patur reshje bore në akset e Pukës dhe të Tropojës. Por është bërë pastrimi dhe kriposja e tyre. Të bëhet kujdes në qarkullim, si pasojë e kohës dhe borës, të cilat mund të shkaktojnë rrëshqitje dherash dhe ngrica në rrugë. Në segmentin Vrith – Razem qarkullimi kryhet normalisht. Të gjitha akset e Pukës qarkullohen pa zinxhirë.
QARKU FIER
Gjendja në akset e Fierit është normale. Eshtë duke u pastruar autostrada nga mbetjet që ka lënë vërshimi i ujërave. Të bëhet kujdes në lëvizje, për shkak të fluksit të madh të makinave dhe të respektohet sinjalistika rrugore.
QARKU LEZHE
Ka reshje shiu dhe në akset e Mirditës ka patur reshje bore. Të gjitha akset janë pastruar dhe është bërë kriposja e tyre. Nuk ka probleme për qarkullimin në të gjitha akset e këtij qarku. Të gjitha akset qarkullohen pa zinxhirë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: