TIRANE – Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH ) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) janë duke ndjekur me kujdes të veçantë situatën e akseve rrugore pas reshjeve të dëborës që kanë rënë gjatë ditëve te fundit.

Edhe pse situata e akseve nacionale paraqitet e përmirësuar, rekomandohet përdorimi i zinxhirëve edhe në orët e mbrëmjes dhe orët e para të mëngjesit, për shkak se gjatë natës ka temperatura të ulëta të cilat shkaktojnë ngrica në rrugë.

ARRSH dhe DPSHTRR kërkojnë mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të mjeteve, për të zbatuar rregullat e qarkullimit dhe njoftojnë sot për gjendjen e akseve rrugore dhe kalueshmërinë e mjeteve në to.

Bëhet me dije se për ditën e sotme deri në orën 15:00, situata e kalueshmërisë së akseve rrugore paraqitet si më poshtë:

Qarku- Situata – Rekomandime

Tiranë
Në akset Trau Dajt – Qafë Mollë – Bizë, Trau Dajt – Antena, Qafë Priskë – Shëngjergj kalimi kryhet normalisht.
Qarkullimi kryhet pa zinxhire, por rekomandohet kujdes në vendet që nuk i zë dielli, sidomos në aksin Qafë Mollë-Bize.

Durrës
Nuk ka probleme në akset e këtij qarku. Të bëhet kujdes në qarkullim, pasi ka trafik në akset e këtij qarku.

Elbasan
Aksi Librazhd – Steblevë është i hapur, por ka ngrica dhe kalimi kryhet me zinxhirë. Aksi Elbasan – Gjinar duhet të kalohet me kujdes nga mjetet e vogla, por për shkak të shembjes në Shelcan është i pakalueshëm për mjetet e rënda.
Në aksin Elbasan-Librazhd-Qafë Thanë është bërë spërkatje me kripë, qarkullimi është normal.
Duhen përdorur zinxhirët në segmentin Lunik –Stebleve. Qarkullimi bëhet me vështirësi në Shelcan, pjesë e aksit Elbasan-Gjinar, ku ka ndodhur rrëshqitja e rrugës.
Në akset e tjera të bëhet kujdes nga ngricat në rrugë gjatë orëve të natës dhe orëve të para të mëngjesit.

Berat
Në segmentin Bogovë – Kakruke ka pasur prani ngricash në orët e mëngjesit.
Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve në akset e tjera të këtij qarku.
Të bëhet kujdes në segmentet rrugore ku punohet.
Rekomandohet të qarkullohet me kujdes në segmentin Bogovë-Kakruke, për shkak të ngricave nga temperaturat e ulëta të natës dhe orëve të para të mëngjesit.

Vlorë
Nuk ka probleme për qarkullimin në të gjitha akset e këtij qarku. Qarkullimi kryhet normalisht në të gjitha akset. Por në orët e para të mëngjesit dhe në orët e mbrëmjes të bëhet kujdes nga ngricat.

Gjirokastër
Nuk ka probleme për qarkullimin në të gjitha akset e këtij Qarku. Rekomandohet ecja e kujdesshme, sidomos në orët e mbrëmjes dhe orët e para të mëngjesit, pasi me uljen e temperaturave mund të formohen ngrica në rrugë.

Korçë
Kompanitë e mirëmbajtjes kanë kryer gjatë orëve të natës si dhe gjatë orëve të para të mëngjesit kriposjen e segmenteve apo pjesëve të veçanta të akseve rrugore ku ka patur prezencë akulli, për të evituar problematikën nga ky fenomen. Situata paraqitet normale dhe po mbahet nën monitorim për orët në vazhdim. Qarkullimi i mjeteve paraqitet pa probleme. Qarkullimi kryhet pa zinxhirë në të gjitha akset e qarkut të Korçës.

Në orët e mbrëmjes, nga temperaturat e ulëta ka segmente rrugore ku formohen ngrica. Prandaj rekomandohet që mjetet qarkullojnë me kujdes dhe të kenë edhe zinxhirë në segmente të veçanta, në orët e para të mëngjesit dhe në orët e mbrëmjes.

Kukës
Janë spërkatur me kripë segmentet ku ka patur prani ngricash. Shumë akse qarkullohen pa zinxhirë. Në aksin K.Domaj-Draj Reç ka prani ngricash.

Në aksin Bajram Curri – Qafë Morinë, ka ngrica në rrugë nga temperaturat e ulëta. Qarkullimi rekomandohet të bëhet me zinxhirë në aksin K.Domaj – Draj Reç, për shkak të temperaturave shumë të ulëta dhe ngricave në rrugë.

Qarkullimi në akset: Bajram Curri – Valbonë, B.Curri – Kam dhe B.Curri – Q. Morinë rekomandohet të kryhet me zinxhirë për shkak të ngricave në rrugë.

Dibër
Vazhdon hedhja e kripës në segmentet ku ka prani ngricash për shkak të temperaturave të ulëta. Ka prani ngricash në akset Ura e Cerenecit-Steblevë, Peshkopi – Qafë Draj, Qafë Bualli-Krastë.
Në aksin Skurraj – Burrel ka patur rënie gurësh në rrugë. Kontraktori ka marrë masa për pastrimin e rrugës në orët e natës dhe tani qarkullimi në këtë aks është normal. Qarkullimi rekomandohet të kryhet me zinxhirë në aksin Ostren i Vogël -Stëblevë, në aksin Qafë Bualli-Krastë, dhe në segmentet Zall Dardhë – Qafë Draj dhe Sllovë-Kalaja e Dodës.
Kalimi rekomandohet të bëhet me zinxhirë edhe në aksin U.Qytezës – Zerqan.

Shkodër
Për shkak të temperaturave të ulëta të natës, po bëhet trajtimi me kripë i akseve.
Qarkullimi kryhet pa zinxhirë në të gjithë akset. Të bëhet kujdes nga ngricat në orët e para të ditës dhe në orët e mbrëmjes, pasi temperaturat janë të ulëta.

Fier
Nuk ka probleme për qarkullimin. Të bëhet kujdes në lëvizje, për shkak të fluksit të madh të makinave në superstradën Fier – Lushnje.

Lezhë
Nuk ka probleme për qarkullimin. Të gjitha akset janë të pastruar, por vazhdon trajtimi me kripë për shkak të temperaturave të ulëta. Të gjitha akset qarkullohen pa zinxhirë.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: