TIRANE – Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) rekomandojnë drejtuesit e mjeteve që të tregojnë kujdes në disa akse rrugore për shkak të reshjeve, si dhe të përdorin zinxhirë në zonat e përfshira nga dëbora dhe ngricat. Bëhet me dije se për ditën e sotme deri në orën 09:00, situata e kalueshmërisë së akseve rrugore paraqitet si më poshtë:
QARKU TIRANË
Ka pasur reshje bore në aksin Qafë Priskë-Shëngjergj. Qarkullimi kryhet normalisht në gjithë akset e tjerë të këtij qarku. Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në segmentin Qafë Priskë-Bizë. Të bëhet kujdes në lëvizje dhe të respektohet sinjalistika.
QARKU DURRES
Nuk ka probleme në akset e këtij qarku. Të bëhet kujdes në qarkullim, dhe të respektohet sinjalistika rrugore.
QARKU ELBASAN
Në aksin Librazhd-F.Studë ka rreth 40 cm dëborë, po punohet për pastrimin dhe kriposjen e aksit. Ky segment është i hapur. Segmenti F.Stude – Steblevë është pjesërisht i bllokuar. Po punohet për hapjen e tij. Në segmentin Librazhd–Q.Thanë ka rreth 25 cm borë në të dyja anët e rrugës, por asfalti është i pastër. Aksi është i kalueshëm pa zinxhirë.
Aksi Elbasan–Gjinar momentalisht i bllokuar për shkak të çedimit prej më shumë se 2.5-3 m të trupit të rrugës në fshatin Shelcan. Segmenti Shelcan–Gjinar ka rreth 25-30 cm dëborë. Po merren masa për pastrimin. Aksi Cërrik-Banjë-Gramsh është i bllokuar për shkak të daljes së lumit Devoll. Qarkullimi bëhet nëpërmjet aksit Gramsh–Kaçivel–Elbasan. Në aksin Elbasan-Cingare-Gramsh ka patur dalje dherash e gurësh në rrugë. Janë marrë masa për pastrimin e aksit dhe tani qarkullimi kryhet normalisht. Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në aksin Librazhd–F.Stude. Të bëhet kujdes në zonat ku ka rrëshqitje të rrugës. Vazhdon ndërprerja e qarkullimit në këtë pikë të aksit Elbasan-Gjinar. Në segmentin Shelcan–Gjinar qarkullimi bëhet me zinxhirë.
QARKU BERAT
Në aksin Ura e Pilzes–Corovode ka pasur rënie gurësh në zonën e shkëmbit të “Selanit”. Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve në akset e tjera të qarkut. Të bëhet kujdes me qarkullimin në akset ku ka rrëshqitje, si pasojë e reshjeve të dendura të këtyre ditëve.
QARKU VLORE
Aksi i vjetër Levan-Vlore është bllokuar përsëri. I bllokuar për momentin është edhe një pjesë e aksit Vlorë–Selenice, te Bishti i Malit, si pasojë e daljes së Vjosës. Në autostradën Levan-Vlorë, kanë ndodhur dy dëmtime si pasojë e reshjeve. E para ka ndodhur në krahun e majtë të rrugës në drejtim të Vlorës. Ka shkarë traseja, por pa prekur pjesën kaluese të Autostradës. Problemi i dytë ka ndodhur te Ura e Mifolit, ku është dëmtuar mbushja pas shpatullës së urës. Nuk është prekur pjesa kaluese e rrugës. Për momentin është kufizuar trafiku për të evituar ndonjë situatë që mund të jetë krijuar. Aksi i Llogorasë është pastruar, por duhet patur kujdes për shkak të ngricave dhe lagështirës në rrugë.
QARKU GJIROKASTER
Kohë me vranësira. Në aksin Gjirokastër-Tepelene ka pasur rënie të vazhdueshme gurësh në rrugë, në vendin e quajtur Shkalla e Zezë. Në zonën e Rrapit të Kuqarit në Përmet ka pasur rënie gurësh, rruga vazhdon të jetë me një kalim. Po punohet intensivisht për pastrimin e akseve në të dy këto segmente. Në aksin Përmet – Çarshove, 2 km pa shkuar në Petran, ka një gërryerje të rrugës nga uji. Të bëhet kujdes në zonat ku ka rrëshqitje dhe prani të ujit në rrugë.
QARKU KORÇE
Gjatë natës është bërë kriposja e segmenteve apo pjesëve të veçanta të akseve rrugore, për të evituar problematikën. Situata po mbahet nën monitorim për orët në vazhdim. Të bëhet kujdes në qarkullim. Të gjitha mjetet duhet të jenë të pajisura me zinxhirë. Akset Erseke–Çarshove dhe Korçë-Dardhë, rekomandohet të qarkullohen me zinxhirë.
QARKU KUKES
Përsëri ka patur shembje në aksin Traget–Lekbibaj, që kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim. Në aksin B.Curri-Valbonë ka reshje bore që kanë arritur trashësinë 150 cm. Vazhdon të punohet për ta mbajtur rrugën të hapur. Qarkullimi bëhet me një korsi dhe ndërrimi i mjeteve bëhet në xhepa. Të gjitha akset e Tropojës janë hapur dhe janë kriposur. Po mbahen në monitorim të vazhdueshëm. Në dalje të Tunelit në Kalimash ka mjegull. Qarkullimi kryhet pa zinxhirë. Të tregohet kujdes në qarkullim si pasojë e borës dhe lagështisë në rrugë. Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në aksin B.Curri–Valbone. Rekomandohet të bëhet kujdes me qarkullimin pas daljes nga Tuneli i Kalimashit për shkak të mjegullës.
QARKU DIBER
Kohë me vranësira në të gjithë qarkun. Rrugët janë pastruar. Në aksin Skuraj – Burrel ka patur rënie dherash në rrugë, të cilat janë pastruar. Në Kalanë e Dodës është duke rënë borë. Qarkullimi është normal. Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve në pothuaj shumicën e akseve. Të bëhet kujdes, sepse nga reshjet mund të shkaktohen rrëshqitje dherash.
QARKU SHKODER
Kohë me vranësirë e reshje shiu. Rrugët janë të gjitha të hapura. Në aksin Shkodër-Qafe Qele, në Ganjolle, për shkak të rrëshqitjes së dherave qarkullimi vazhdon të kryhet me një korsi të zgjeruar. Po punohet për ta bërë rrugën me dy kalime. Të bëhet kujdes në qarkullim, si pasojë e kohës me shira, të cilat mund të shkaktojnë rrëshqitje dherash dhe ngrica në rrugë.
QARKU FIER
Gjendja në akset e Fierit është normale. Vazhdon pastrimi i autostradës nga mbetjet që ka lënë vërshimi i ujërave dhe reshjeve. Të bëhet kujdes në lëvizje, për shkak të reshjeve dhe të respektohet sinjalistika rrugore.
QARKU LEZHE
Ka vranësira dhe reshje shiu në të gjithë qarkun. Të gjitha akset janë pastruar. Nuk ka probleme për qarkullimin në të gjitha akset e këtij qarku. Të gjitha akset qarkullohen pa zinxhirë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: