TIRANE – Përfundon shpimi i tunelit të Qafë Buallit, në rrugën e Arbrit. ARRSH bën të ditur se tuneli me një gjatësi prej 464 metrash ka filluar në fillim të muajit tetor 2014 dhe ka përfunduar hapjen sipas planifikimit sot më 30 dhjetor 2014.
Në inspektimin e datës 6 dhjetor 2014 në Bulqizë, Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto u shpreh mbi punimet në Qafë-Buall se kompania po ecte me ritmet e duhura dhe kërkoi që punimet për ndërtimin e tunelit të bëhen në standardet bashkëkohore ndërsa deklaroi se data 30 dhjetor do të ishte data që tuneli do të bashkohej në shpim nga të dyja anët.
Rruga e Arbrit është një ndër prioritetet e qeverisë shqiptare, për zhvillimin e zonës dhe lidhjen e zonës verilindore me zonat e tjera në vend dhe rajonin. Ky është tuneli i parë, që po ndërtohet nga një kompani shqiptare.
(er.nu/BalkanWeb)




Etiketa: