TIRANE – Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor janë duke ndjekur me kujdes të veçantë situatën e akseve rrugore pas reshjeve të dëborës që kanë rënë gjatë ditëve te fundit. ARRSH dhe DPSHTRR kërkojnë mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të mjeteve, për të zbatuar rregullat e qarkullimit dhe njoftojnë sot për gjendjen e akseve rrugore dhe kalueshmërinë e mjeteve në to. Bëhet me dije se deri në orën 15:30 situata e kalueshmërisë së akseve rrugore paraqitet si më poshtë:

Qarku Tiranë           

Ne akset Trau Dajt-Qafë Mollë-Bizë, Trau Dajt-Antena, Qafë Priskë-Shëngjergj kalimi kryhet normalisht. Qarkullimi kryhet pa zinxhirë, por rekomandohet kujdes në vendet që nuk i zë dielli, sidomos në aksin Qafë Mollë-Bizë

Qarku Durrës

Nuk ka probleme ne akset e këtij qarku. Të bëhet kujdes në qarkullim, pasi ka trafik në akset e këtij qarku.

Qarku Elbasan         

Aksi Librazhd-Steblevë është i hapur, por ka ngrica dhe kalimi kryhet me zinxhirë. Aksi Elbasan-Gjinar kalohet normalisht, por për shkak të shëmbjes në Shelcan është i pakalueshem për mjetet e rënda. Shembja në aksin Cërrik-Banjë është eliminuar. Tani kalimi kryhet normalisht. Në aksin Elbasan-Librazhd-Qafë Thanë, pati rreth 30 minuta reshje bore, por aksi është i pastër. Është bërë spërkatje me kripë. Duhen përdorur zinxhirët sidomos në segmentin Lunik-Steblevë. Në akset e tjera të bëhet kujdes nga ngricat në rrugë.

Qarku Berat

Në segmentin Kthesa Gllavë-Antena ka prani të ngricave. Edhe në segmentin Bogovë-Kakrukë ka prani ngricash në orët e mëngjesit dhe mbrëmjes.

Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve në akset e tjera të këtij qarku. Të bëhet kujdes në segmentet rrugore ku punohet. Qarkullimi në segmentin Kthesa Gllavë-Antena duhet të bëhet me zinxhirë. Rekomandohet qarkullimi me zinxhirë edhe në segmentin Bogovë-Kakrukë.

Qarku Vlorë 

Nuk ka probleme për qarkullimin në të gjitha akset e këtij qarku. Qarkullimi kryhet normalisht në të gjitha akset. Por në orët e para të mëngjesit dhe në oret e mbrëmjes të bëhet kujdes nga ngricat në aksin e Llogorasë.

Qarku Gjirokastër

Nuk ka probleme për qarkullimin në të gjitha akset e këtij Qarku. Rekomandohet ecja e kujdesshme, sidomos në orët e mbrëmjes, pasi me uljen e temperaturave mund të formohen ngrica në rrugë.

Qarku Korçë

Gjatë ditës kanë qenë temperaturat rreth 0 gradë, vazhdon të kryhet kriposja nga ana e Kontraktorëve në kthesat e hijëzuara për të vijuar kalueshmëria e mjeteve pa probleme. Qarkullimi kryhet pa zinxhirë në të gjitha akset e qarkut të Korçës. Por  në orët e mbrëmjes, nga temperaturat e ulëta ka segmente rrugore ku formohen ngrica. Prandaj rekomandohet që mjetet të qarkullojnë me zinxhirë në orët e para të mëngjesit dhe në orët e mbrëmjes.

Qarku Kukës

Në këtë qark ka patur reshje bore, të cilat njoftohemi se kanë pushuar. Është bërë pastrimi i rrugëve dhe janë spërkatur me kripë. Shumë akse qarkullohen pa zinxhirë. Në akset K.Domaj-Draj Reç dhe Bajram Curri-Kam (sidomos në Qafën e Luzhës) ka prani ngricash. Në aksin Bajram Curri-Qafë Morinë, ka ngrica në rrugë nga erërat e forta dhe temperaturave të ulëta. Qarkullimi rekomandohet të bëhet me zinxhirë në këto akse: Bajram Curri-Kam (në Qafën e Luzhës) dhe K.Domaj-Draj Reç, për shkak të temperaturave shumë të ulëta dhe ngricave në rrugë. Qarkullimi në aksin Bajram Curri-Valbonë dhe B.Curri-Q.Morinë rekomandohet të kryhet me zinxhirë.

Qarku Dibër

Vazhdon hedhja e kripës, për shkak të temperaturave shumë të ulëta. Ka prani ngricash në akset Ura e Cerenecit-Steblevë, Peshkopi-Qafë Draj, Qafë Bualli-Krastë. Në aksin Skuraj-Burrel ka patur rënie gurësh në rrugë, por kontraktori ka marrë menjëherë masat për pastrimin e saj.

Qarkullimi rekomandohet të kryhet me zinxhirë në aksin Ura e Cerenecit-Steblevë, në aksin Qafë Bualli-Krastë, dhe në segmentet Muhurr-Qafë Draj dhe Sllovë-Kalaja e Dodës. Kalimi me zinxhirë bëhet edhe në aksin U.Qytezës-Zerqan.

Qarku Shkodër        

Për shkak të temperatura të ulëta, po bëhet trajtimi me kripë i akseve. Në segmentin nga fshati Vrith deri në Razëm ka prani ngricash. Njoftohemi se ka patur reshje bore edhe në Pukë për një kohë të shkurtër, por tani rrugët janë pastruar dhe qarkullimi kryhet normalisht. Qarkullimi kryhet pa zinxhirë në të gjithë akset. Të bëhet kujdes nga ngricat në orët e para të ditës dhe në orët e mbrëmjes, pasi temperaturat janë të ulëta.

Qarku Fier    

Nuk ka probleme për qarkullimin. Të bëhet kujdes në lëvizje, për shkak të fluksit të madh të makinave në superstradën Fier-Lushnje

Qarku Lezhë 

Nuk ka probleme për qarkullimin. Të gjitha akset janë të pastruar, por vazhdon trajtimi me kripë për shkak të temperaturave të ulëta.  Të gjitha akset qarkullohen pa zinxhirë. Qarkullimi kryhet pa zinxhirë gjatë gjithë aksit Rrëshen-Tuneli Thirrë.

(er.nu/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: