TIRANE-Arsid Kruja lë Vllazninë për arabët e Hajër Klub, ndërsa kuqeblutë mund të arkëtojnë 100 mijë dollarë nga kjo marrëveshje. Me situatën financiare të denjë për një film horror dhe me lojtarët në prag revolte për mungesën e pagesës prej tre muajsh, drejtuesit e Vllaznisë kanë gjetur mundësinë më të mirë për të mbushur arkat, ndonëse kjo lëvizje ka ndikuar direkt në dobësimin e organikës së trajnerit Baldo Raineri. Por me një situatë tashmë komode në renditje, vite dritë larg synimeve për titull kampion dhe të bindur se nuk mund të konkurrojnë as për Kupën e Shqipërisë, sakrifikimi i Krujës ka shërbyer vetëm për të siguruar financat për pak kohë. Klubi shkodran ka pranuar ofertën prej rreth 100 mijë dollarësh të skuadrës arabe për kartonin e 21-vjeçarit, i cili ka shkëlqyer në “Loro Boriçi” në dy sezonet e fundit. Pas përmbylljes me sukses të bisedimeve me menaxherin Ilir Halili, Kruja ka marrë lajmin nga drejtori teknik, Armir Grima për eksperiencën e re që e pret, ku sigurisht ana financiare është ajo që e ka bindur lojtarin ta pranojë ofertën. Detajet e kontratës së mesfushorit me Hajer Klub, nuk janë bërë ende zyrtare, por bëhet fjalë për një bashkëpunim të paktën 2-vjeçar. Shuma që do të përfitohet nga shitja e Krujës do të amortizojë sadopak problemet financiare të klubit shkodran, që ende vazhdon të financohet nga Bashkia, pas largimit të kompanisë zvicerane “Gea Sport”. Kruja bëhet kështu largimi më serioz nga Superliga jonë në këtë merkato dimërore, ndërsa Vllaznia edhe njëherë dëshmon se talentet e saj e gjejnë me lehtësi tregun jashtë kufijve.

(d.d/j.s/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb