TIRANE – Partia Demokratike përshëndet vendimin e Senatit Akademik të UT, i cili miratoi qëndrimet e strukturave të tij pranë Fakulteteve, për të kundërshtuar Projektligjin për Arsimin e Lartë. Kreu i Departamentit të Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit në PD, Luçiano Boçi‏ theksoi se “Partia Demokratike i konsideron dhe i gjen të drejta e reale shqetësimet dhe konstatimet e stafeve akademike të UT për shkeljet kushtetuese të autonomisë financiare, akademike e institucionale, për cënimin e parimeve themelore të Kartës së Bolonjës dhe Deklaratës së të Drejtave të Njeriut, për synimin e hapur të kontrollit të plotë qeveritar ndaj Universiteteve publike nëpërmjet Bordit të Administrimit dhe rrjetit të Agjensive burokratike, për përjashtimin e studentëve nga procesi i vendimmarrjes”.
Sipas Boçit, “PD mbështet ndryshimet e kërkuara dhe angazhohet me instrumentet e saj ligjorë që kërkesat e stafeve akademike të UT, për rishikim të projektligjit, në shërbim të kushtetutshmërisë, autonomisë e konkurrencës së drejtë, të gjejnë shprehjen e tyre konkrete”.
SENATI  I UT KUNDER PR/LIGJIT
Senati i Universitetit të Tiranës ka dalë kundër projektligjit të ri të arsimit të lartë që i është dorëzuar ditët e fundit. Senati i UT-së ka ngritur shqetësimin se ky projektligj jo vetëm që nuk realizon autonominë universitare të përcaktuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, por e cenon. Rektori Dhori Kule është shprehur se ky draft është kthim mbrapa dhe se e përkeqëson situatën e universiteteve si dhe i mungojnë kushtet më minimale që të konsiderohet projektligj. Ndërsa dekani i Fakultetit të Drejtësisë, i cili është anëtar i Senatit, Altin Shegani, tha se ky projektligj prek lirinë akademike, autonominë financiare por edhe mësimdhënien. Dhurata Shehri, anëtare e Senatit dhe shefe e Departamentit të Letërsisë, tha se ky draft, veç autonomisë akademike dhe financiare, prek edhe përfaqësimin e studentëve, duke iu hequr të drejtën e përfaqësimit, të cilën e gëzojnë aktualisht me Ligjin e Arsimit të Lartë. Rekomandimet për draftin e ri të arsimit të lartë do t’i përcillen Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, si dhe komisionit të ngritur për hartimin e tij. Një nga nenet më të debatueshme ka qenë ai i krijimit të bordit, i cili do të merret me anën organizative të universiteteve. Sipas senatorëve të UT-së, kjo është e papranueshme, pasi denatyralizohen drejtuesit e arsimit të lartë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: