(Në përditësim)

TIRANE- Projektligji i ri për Arsimin e Lartë është epiqendra e debateve të forta që po zhvillohen në seancën maratonë të Kuvendit të Shqipërisë. Ministrja e MAS, Lindita Nikolla iu drejtua pedagogëve duke thënë se me kundërshtimin e këtij ligji, ata mbrojnë anarkinë dhe kjo sipas saj, përbën tradhti ndaj kombit. Në replika, ajo u përfshi edhe me deputeten e PD-së, Jorida Tabaku e cila tha se ligji është klientelist dhe cënon si pedagogët ashtu edhe studentët. Në këtë linjë shkoi edhe Jozefina Toalli, e cila tha se ky ligj duhet ndalur, pasi synon të kthejë luftën e klasave.

TOPALLI: KY LIGJ RREZIK KOMBËTAR, RIKTHEN LUFTËN E KLASAVE
Deputetja e PD-së, Jozefina Topalli ftoi deputetët e Kuvendit të mos e votojnë pr/ligjin e arsimit të Lartë. Sipas saj ai është antikushtetues dhe kthen luftën e klasave.

“Edi Rama e solli këtë ligj kur askush nuk e kishte mendjen. Ne 8 vite nuk është bërë asnjëherë seancë plenare ditë të martë, ç’është ky ligj që duhet kaluar me urgjencë? Kam vendosur të dëgjoj porosinë publike të Artan Fugës që na sugjeroi të bëjmë politikanin, pasi ne ligj pakushtetutshmëria është ulëritëse, nëse je i varfër nuk e bën dot shkollën e lartë, njësoj si në diktaturë. Tarifa vetëm për regjistrim llogaritet 1 mijë apo 2 mijë euro… Ky ligj zhduk shanset e barabarta për arsimim, rikthen luftën e klasave. Ligji është antikushtetues.. nuk garantohet autonomia universitare”,- tha Topalli.

Topalli tha më tej se ligji është klientelist dhe korruptiv. “Kryeministri, mësues i vizatimit do ti marrë të gjitha. Ne duhet ta ndalojmë këtë rrezik kombëtar”.

PALOKA: BURRI I MINISTRËS NIKOLLA KUNDËR PROJETKLIGJIT
Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka deklaroi sot se as bashkëshorti i ministres Lindita Nikolla, Ligor Nikolla nuk është dakord me miratimin e projektligjit të ri.

Nga foltorja e Kuvendit, Paloka publikoi një video ku ishte regjistruar dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ku shprehte mendimin e tij kundër këtij ligji. “Është interesante ta dëgjojnë të gjithë. Ky që dëgjoni këtu është dekani Ligor Nikolla, i cili drejton Fakultetin e Shkencave Natyrore. Aty dëgjohet se zoti Nikolla, bashkëshorti i ministres Nikolla nuk është dakord me ligjin. Imagjino, me këtë projektligj nuk është dakord as familja e Nikollës.”, tha Paloka.

HALIMI: OPOZITA DO VAZHDOJË BETEJËN KUNDËR KËSAJ MARRËZIE
“Opozita do të vazhdojë betejën kudër marrëzisë për ligjin e Arsimit të Lartë”. Kështu deklaroi deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi. Ai pohoi ndër të tjera se ketë fakt e ka mbështetur dhe një profesor belg, i cili tha se ky model nuk gjendet as në Afrikë. “Ministri, përfaqësuesi i kryeministrin nuk mund të shkarkojë Rektorin, pasi është antikushtetues. Profesori belg thotë se ky ligj është marrëzi. Opozita, akademikët, do ta vazhdojmë këtë beteje, për këtë marrëzi. “, tha Halimi.

TABAKU: UNIVERSITETI PUBLIK SI MALL TEK TREGU ÇAM
I ashpër ka qenë qëndrimi i deputetes së opozitës, Jorida Tabaku nga foltorja e Kuvendit në lidhje me Ligjin për Arsimin e Lartë. Tabaku pohoi se universiteti publik është kthyer si mall tek tregu çam. Nga ana tjetër ajo shtoi se ky ligj gjymton universitetet dhe lirinë akademike.

“Po kalojmë sot një projektligj që po has vështirësi. Ky projektligj e gjunjëzon interesin e studentëve. Nuk sollëm në kuvend asnjë ligj i cili është antikushtetues në çdo nen. Ai në thelb vazhdon të jetë klientelist. Bitisja e tij që një shpërfytyrim i autonomisë universitare. Po na dëshmoni thënien; “të gjithë pushtet kryeministrit”. Përmes bordeve famëkeqe, kjo qeveri do vendos të marr lirinë akademike. Ky ligj gjymton në të gjitha mënyrat universitetit. Ky nuk është liberalizëm, por klientelizëm. A na siguron kush se universitetet Publike do kenë mundësi të ofrojnë shërbim e cilësi pa detyruar të rriten tarifat. Qeveria ka sjell me pabesi këtë ligj, është një shkelej e barazisë qytetare. Ky është një ligj që penalizon studentët dhe trajton arsimin publik si mall te tregu Çam.”, tha Tabaku.

Ministrja Nikolla në replikë i kërkoi deputetes së PD-së të përmendë emrat e klientelistëve dhe oligarkëve.

Nikolla: Ndahem nga ju personalisht, që ta kuptoni është një gjë fare e thjeshtë hajde këtu dhe përfaqëso brezin e ri. Por ju gënjyet fund e krye, thatë të pavërteta të mëdha. Që të më sfidoni ju lutem tregoni kush janë klientelistët, oligarkët dhe etiketimet e tjera., Tregoji dhe më mund. Kush është Arjan Gjoncaj, Dhurata Bozdo Ervin Demo? Nuk di kush janë klientelistët nga këta?…Ju nuk folët aspak për ligjin, as që e keni lexuar atë…Kujdes me të vërtetën, aty ndahemi vite dritë me njëra-tjetrën.

Tabaku: Nuk dua replikë me ministren, por dua t’i them se ju referove nenit 213, për kredinë studentore zonja ministre. Thashe që nuk është i detajuar, nuk gënjeva. Ndërsa klientela është ajo që përmendet ju, herën e kaluar këtu në Kuvend, meqenëse i dini dhe i mbroni vazhdojini mbrojini.

Nikolla: Ju shihni si klientelë UET, unë e shoh si institucion që e kam kontrolluar, ka zero doktoratura me ardhjen e qeverisë Rama.

MEHMETI: KEMI KËRKUAR PREJ KOHËSH NDRYSHIM NË UNIVERSITETE
Diskutimeve për Ligjin e Arsimit të lartë iu bashkua dhe deputetja e Lëvzjes Socialiste për Integrim, Kejdi Mehmetaj. Ajo theksoi se këto ndryshime duhej të ishin bërë me kohë. “Përpara se të parashtroj mendimet e mia mbi projektligjin “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor”, do të doja të përmendja, ndoshta më shumë për dëgjuesit jashtë kësaj sallë, punën e gjatë që është ndërmarrë nga komisionet parlamentare për diskutimin dhe shqyrtimin e këtij projektligji. Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, para fillimit të shqyrtimit të projektligjit në fjalë, organizoi disa mbledhje në të cilat u ftuan dhe morën pjesë në cilësinë e grupeve të interesit një numër shumë i madh përfaqësuesish nga institucione të ndryshme të vendit, si rektorë, dekanë, pedagogë, forume,studentë etj, të cilët shprehën opinionet e tyre për projektligjin përpara se komisioni ta shqyrtonte atë nen për ne, duke propozuar edhe ndryshime në nene konkrete, me qëllim përmirësimin e projektit të paraqitur.

Paralelisht dua gjithashtu të përmend kohën e gjatë që mori përgatitja e këtij ligji nga ana e qeverisë, kohë kjo që nuk u shfrytëzua vetëm për pjesën teknike të shkrimit të ligjit, por kryesisht për konsultimet që u zhvilluan në bazë të gjerë në të gjithë vendin dhe përfshinë të gjitha palët e interesuara. Kjo e ka bërë ketë projektligj një ndër më të diskutuarit dhe më vjen mirë që një pjesë të mirë të sugjerimeve, qeveria e reflektoi në versionin e saj përfundimtar. Dua të përmend këtu konkretisht përfaqësimin e studentëve në vendimmarrje. Falë kërkesave këmbëngulëse të vetë studentëve, të stafeve pedagogjike, kuptohet edhe të një grupi kolegësh, studentët sot me këtë projektligj zënë një vend prej 20 % në vendimmarrjen e universitetit. Ndoshta akoma ka diskutime në ketë pikë, marrë parasysh fakti që pesha e studentit nga ana e financimit të studimeve të tij është rritur ndjeshëm me ketë projektligj por ndoshta jemi akoma në kohë për të ndryshuar diçka në të ardhmen.
Duke e parë në një vështrim të përgjithshëm, qëllimi i projektligjit, të cilin po e diskutojmë sot, është përcaktimi i objektivave kryesorë të Arsimit të Lartë dhe kërkimit shkencor, përcaktimi i rregullave për krijimin, organizimin, administrimin, financimin dhe mbylljen e institucioneve të Arsimit të Lartë. Projektligji në fjalë ka gjithashtu si një nga qëllimet e tij kryesore krijimin e një sistemi të unifikuar të Arsimit të Lartë, kërkimit shkencor dhe krijimin e mekanizmave të qëndrueshëm të sigurimit të cilësisë në institucionet e Arsimit të Lartë, si dhe përcaktimin e rolit të shtetit në Arsimin e Lartë.”, tha Mehmetaj.

Sipas deputetes së LSI-së, projektligji në vetvete paraqet risi, nga të cilat unë do të veçoja ato që konsideroj si më pozitivet:
“• Unifikimin dhe standardizimin e sistemit të Arsimit të Lartë;
• garantimin e arsimimit për individët që plotësojnë kriteret e pranimit në një program të ciklit të parë të studimeve, në një program të integruar të studimeve ose në një program të studimeve profesionale, por që nuk kanë mundësinë financiare për t’i përballuar ato;
• heqjen e maturës shtetërore por dhënien e së drejtës IAL-ve të përzgjedhin studentët fitues dhe të përcaktojnë kriteret e pranimit të studentëve; Dua ta konsideroj këtë të fundit si një fitore të madhe pasi prej më shumë se një viti kemi luftuar shumë që të ndodhë një ndryshim i tillë.
• krijimin e mekanizmave të qëndrueshëm të kontrollit të brendshëm të IAL-ve dhe atyre të jashtëm, në mënyrë që të sigurohen standarde evropiane për sistemin e Arsimit të Lartë;
• krijimin e premisave për një Arsim të Lartë që t’i përgjigjet nevojave të tregut të punës dhe drejtimeve të zhvillimit strategjik të vendit;
• krijimin e fondit të mbështetjes studentore, që përfshin studentë të shkëlqyer, studentë në programet e studimit që përbëjnë prioritet kombëtar, studentë që i përkasin shtresave në nevojë, që studiojnë në institucionet publike të Arsimit të Lartë;

Të thëna të gjitha këto më sipër, së bashku me faktin që realiteti i universiteteve tona lë hapësira të mëdha për diskutim, duke qenë jo efektiv dhe në një pjesë të madhe të rasteve jo cilësor, bëhet e domosdoshme reforma e menjëhershme në arsimin e lartë. Por, kjo reformë nuk duhet të fokusohet vetëm në disa vështrime të përgjithshme, por të jetë e thelluar dhe e mirëmenduar. Nuk nënkuptoj me thellim: sasinë e neneve që përmban ligji, por thellimin në politikat afatgjatë të arsimit të larte në Shqipëri. I gjithë projektligji duhet të fokusohet në këto politika, pa pasur objekt të tij kryesor vetëm skemën e financimit të universiteteve. Problemet e shumta që po vuan arsimi ynë i lartë, nuk duhet të na bëjnë në asnjë moment të nxituar, për të vendosur zgjidhje të shpejta, që ulin përgjegjësinë tonë sociale si shtet. Ne duhet të gjejmë mekanizmat e duhur dhe t’ia bashkëngjisim këtij projektligji, për ta bërë shkollimin dhe universitetin një mundësi për të rinjtë shqiptarë dhe jo një hall me shumë në portofolat e familjeve shqiptare.

Ndaj këtu dua të ndalem në dy çështje kryesore, të cilat shpresoj duke ua kthyer në vëmendje, se së shpejti do të reflektohen në ligj. Për këto dy çështje aktet nënligjore janë një domosdoshmëri, për ta bërë ligjin të vërtetë në përmbajtje, lehtësues për familjen dhe jo një mollë të ndaluar për të rinjtë shqiptarë. Te dyja këto çështje kanë të bëjnë me tarifat e reja të shkollimit, e para me tarifën në vetvete dhe e dyta me mënyrën se si kjo tarifë do mbulohet nga studenti dhe familja. Sipas projektligjit, do të jetë vetë studenti ai që do mbulojë pjesën më të madhe të kostos së shkollimit të tij, kjo sjell drejtpërdrejtë rritjen e tarifës së paguar deri më sot dhe kjo bën që të gjenden alternativa për t’i mbuluar këto shpenzime, siç mund të jetë kredia studentore, por për të dyja rastet ligji përmban në vete paqartësi.”, tha ajo.

“Së pari, është e domosdoshme, që ligji të përmbajë tarifën bazike të shkollimit për një student dhe duhet që menjëherë të fillojë puna për t’u hartuar akti nënligjor që do përmbajë këtë specifikim, pasi përveçse kjo qartëson familjet që kanë fëmijë për t’u shkolluar, njëkohësisht nuk lë hapësira për keqimplementim të ligjit nga institucionet e arsimit të lartë, një pjesë e të cilave mund të shohin tarifën studentore e paguar nga studenti si zgjidhje të te gjitha halleve të gjithë universitetit.
Personalisht bie dakord me faktin, se është e pamundur që universitetet të funksionojnë në mënyrë efikase, nëse menaxhimi dhe financimi bëhet vetëm nga shteti ose vetëm nga universiteti ose vetëm nga studenti e kështu me radhë. Është e vërtetë që duhet një bashkëpunim i të gjithë këtyre hallkave, në sasitë e duhura që zinxhiri të funksionojë, por pa harruar në asnjë moment që për familjet shqiptare nuk ka ardhur ende momenti, të zgjedhin në një treg të lirë universitar, me çmime konkurruese, njësoj siç zgjedhim të blejmë produktet e konsumit në supermarket. Ndaj, në këtë pikë qeveria si përgjegjëse për zbatimin e drejtë të ligjit, por edhe në si ligjvënës, duhet të jemi të kujdesshëm që tarifat, të cilat siç e përmenda më sipër duhet specifikuar sa më shpejt me një akt nënligjor, të jenë të përballueshme nga çdo familje shqiptare, qoftë kjo e kryeqytetit, qoftë familje që jeton në zonat rurale, pavarësisht nga të ardhurat ekonomike që mund të kenë. Sepse arsimi nuk mund dhe nuk duhet të fitohet mbi bazën e të ardhurave, por mbi bazën e aftësive dhe meritokracisë.

Çështja e dytë të cilën dua t’ju kthej në vëmendje ka të bëjë me nenin 112, me kredinë studentore, e cila me të drejtë mund të jetë një zgjidhje për studentet që kanë aftësinë por pamundësinë ekonomike të vazhdojnë studimet e larta. Përpara se studenti të aplikoje për këtë kredi duhet të këtë siguri, të cilën ky nen i ligjit, kështu siç është nuk ta ofron. Qeveria duhet po ashtu edhe për këtë nen, të përgatisë aktet nënligjore, që përfshijnë skemën e marrjes se kredisë, kushtet që do ketë kjo kredi, të garantojë që interesi të jetë zero, të sigurojë që kjo kredi nuk do rëndojë më shumë mbi ekonominë familjare dhe që vetë shteti do jetë garant. Gjithashtu unë propozoj që shlyerja e kredisë pasi studenti është diplomuar dhe është punësuar. Siç në mënyrë të menjëhershme duhet të hartojë politikat e reja të punësimit për studentët e diplomuar, që sot enden të papunë, që mundësia e tyre për ta shlyer kredinë që do marrin të jetë reale dhe jo barrë që do i kushtojë përgjatë jetës.

Dua të shkoj drejt përfundimit të fjalës sime, duke folur si studente. Patjetër që ne studentët duhet të bëjmë pjesën tonë, të përgatitemi dhe të kërkojmë nga vetja jonë. Të mësojmë dhe punojmë në të njëjtën kohë. Të diplomohemi me rezultate të mira. Ne duhet të trajnohemi për të qenë profesionistë të mirë. Patjetër që universitetet duhet të bëjnë më shumë. Duhet përherë brenda stafeve të tyre të kërkojnë mundësi dhe mendësi të reja. Duhet të jenë më bashkëkohor dhe më pranë studentëve. Në fund të fundit është qeveria ajo që duhet të rrisë financim në arsim, të gjejë forma dhe mundësi të reja për të zhvilluar arsimin dhe të luajë rolin e saj si kontrollore, por edhe si rregullore. Këtë kontroll duhet ta bëjë në bazë të cilësisë dhe në të mirë të studentit, jo thjesht për të gjetur disa zgjidhje ekonomike. Nuk duhet të harrojmë që fokusi ynë dhe i ligjit është që të përgatisim brezat tanë sepse do të jenë brezat tanë dhe jo universitetet e pasuara, ata që do të zhvillojnë vendin në të ardhmen.”.

NIKOLLA-PEDAGOGEVE: PO MBRONI ANARKINE, TRADHTI KOMBETARE
E para që mbajti fjalën e saj në foltoren e Parlamentit, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla iu drejtua pedagogëve, akademikëve, por dhe të pranishmeve në sallë, se ky ligj krijon një vizion të ri për Universitetet. Nga ana tjetër, Nikolla i bëri thirrje deputetëve që të kalojnë për miratim me konsensus projektligjin.

“Ligji i Arsimit të Lartë është hartuar nga një ekip i shkëlqyer. Kjo është reformë jo e partisë në pushtet. Kur më parë drafti i parë i ligjit është diskutuar më kujdes. Vetëm Universiteti i Tiranës dërgoi për nenin e parë vetëm 600 faqe diskutimi. Kjo ka qenë reforma më e papolitizuar në këtë proces. Në ka ligj ku llogorja e partizanërisë së politikës është ky. Në ka ligj që politika duhet lënë mënjanë, është ky. Ndaj duhet ta kalojmë me konsensus. Ky ligj është një vizon krejt i ri pasi duhet të mësojmë mënyrë që mos të gënjejmë njerëzit tanë.”, tha Nikolla.

Ministrja e MAS, nuk ka nguruar t’i përgjigjet akuzave të pedagogëve se po vdes arsimi i lartë nga kjo reformë. Nikolla thotë se deri më tani këta universitarë kanë punuar në anarki dhe kjo sipas saj, përbën tradhti ndaj kombit.

“Më keq se ç’ka qenë e se çe keni bërë nuk ka ku të shkojë. Sistemi që kishit ishte anarki, kjo tradhtia më e madhe që mund ti bëhet një kombi. Ky është fundi i një sistemi që prodhon diploma pa vlerë, nuk është fundi i arsimit të lartë”,- tha ajo.

Nikolla shtoi se ky ligj nuk është i përsosur por më i miri për arsimin e lartë. “S’ka përjashtme, çdo i ri do ketë një vend por sipas meritës dhe nevojave që vendi ka. Masivizimi nuk u kujdes për cilësinë e formimit të studentit”.

Nikolla pohoi ndër të tjera se ka marrë kërcënime nga persona që nuk kanë lidhje me arsimin, kjo sipas saj për interesa të caktuar.

“Nuk ishte e lehtë të ngjisje atë malore, pasi kam marrë mesazhe e kërcënime nga ata që nuk kanë lidhje me arsimin. Ministria e Arsimit po fiton gjyqet me këtë sharlatanë. Ndaj, këta ish-ministra Arsimit e dinë mirë se sulmi nuk është mbrojta më e mirë. Sot ndihëm shumë mirë për produktin që është vlerësuar nga pedagogë. Prindërit shqiptarë që kanë sakrifikuar, kanë shansin që të bëhet diçka më e mirë. Jam e bindur se para jush nuk keni një draft, por keni përgjegjshmërinë dhe këmbënguljen. Më lejoni të nderuar kolegë që me votën tuaj të kemi një sistem të ri arsimor.”, pohoi Nikolla.

PD OPONENCË TEKNIKE NË PARLAMENT
Në këtë seancë pritet të ketë debate, pasi kreu i PD­-së, Lulzim Basha, ka udhëzuar dje deputetët e tij në mbledhjen e grupit t’i bëjnë oponencë teknike projektligjit të qeverisë për arsimin e lartë. Në seancë plenare do të regjistrohen për të folur të gjithë deputetët e Komisionit të Medias dhe Arsimit, por edhe të gjithë deputetët e opozitës që do të faktojnë nen pas neni pretendimet për shkelje të kushtetutës.

Sipas demokratëve, ligji i qeverisë për arsimin e lartë në shumë pika është në kundërshtim me kushtetutën, por megjithatë kërkesa për ta çuar ligjin në Gjykatën Kushtetuese pritet të vijë pasi ai të miratohet në Kuvend.

Përfaqësuesit e opozitës janë zotuar se do të mbështesin edhe protesta që grupet e shoqërisë civile dhe studentët kanë paralajmëruar se do të organizojnë kundër këtij projektligji përpara Parlamentit.

Nisma ligjore e Këshillit të Ministrave, që vjen pas një procesi të gjatë diskutimi me të gjitha grupet e interesit, i jep mundësi institucioneve të larta arsimore të bëhen të konkurueshme me ato të BE-së dhe po ashtu ju siguron atyre një autonomi të zgjeruar, parë kjo në këndvështrimin administrativ dhe financiar.

(ed.me/ma.ar/b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: