NGA ERMELINDA HOXHAJ
TIRANE-Ndryshimet në ligjin për sistemin shkollor parauniversitar janë në pritje të diskutimeve në Komisionet Parlamentare. Ministria e Arsimit dhe Sportit ka dërguar në fund të muajit shkurt në Kuvend projektligjin për ndryshimet në ligjin e arsimit parauniversitar. Në total janë 8 nene që do të ndryshojnë, dhe bëhet fjalë për nenet: 2, 3, 13, 22, 45, 47, 53 dhe 60. Këto ndryshime, edhe pse mund të duken pak në numër, prekin thelbin e sistemit aktual arsimor parauniversitar, duke nisur nga struktura e tij, e cila pritej që me vitin e ri shkollor 2015-2016 të bëhet 6+3+3, por që me ndryshimet e propozuara nga MAS do vijojë struktura aktuale 5+4+3. Një ndryshim tjetër i rëndësishëm është ai për tekstet alternative, i cili në draftin e ri hiqet dhe kthehet teksti unikal. Në ndryshimet e propozuara është prekur edhe mënyra se si do të emërohen mësuesit, si dhe Presidentit të Republikës i hiqet e drejta e dhënies së “Medaljes së Artë” për nxënësit e shkëlqyer, pasi në ndryshimet e propozuara në ligj kjo e drejtë do t’i kalojë kryeministrit.
Nenet & ndryshimet
Ligji i Arsimit Parauniversitar, i miratuar në vitin 2012 me një konsensus të gjerë, pasi ka marrë votat e 128 deputetëve, pritet të pësojë ndryshime rrënjësore. Ka mbërritur në Kuvendin e Shqipërisë projektligji për disa ndryshime në ligjin nr. 69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar”, i cili pritet të diskutohet në javët në vijim në komisionet përkatëse. Në ndryshimet e ligjit parashikohet se struktura e sistemit arsimor nuk do të ndryshojë; do mbetet 5+4+3 dhe jo 6+3+3, strukturë që pritej të hynte në fuqi vitin e ri shkollor. Ky ndryshim i ligjit është artikuluar disa herë edhe nga drejtues të Ministrisë së Arsimit. Kjo për shkak se edhe Kosova ka këtë strukturë, duke qenë se dy vendet po punojnë për unifikimin e kurrikulës. Pra, me ndryshimet e propozuara ne do vijojmë të ruajmë këtë strukturë arsimore që kemi, ku, arsimi fillor përbëhet nga pesë klasa, nga klasa e parë deri në klasën e pestë; arsimi i mesëm i ulët përbëhet nga katër klasa, nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë. Një ndryshim që pritet të miratohet është edhe zhdukja e teksteve alternative. Pasi në ndryshimet e propozuara përcaktohet se: “Tekstet shkollore përzgjidhen mbi bazën e standardeve të teksteve nëpërmjet një konkurrimi të hapur, të barabartë dhe transparent. Procedurat e zhvillimit të konkursit përcaktohen me udhëzim të ministrit. Përjashtimet nga ky rregull përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Tekstet për nxënësit janë unike për çdo lëndë ose fushë të të nxënit, sipas klasave dhe për të gjitha shkollat. Ato sigurohen nga botuesit vendas ose të huaj. Tekstet certifikohen nga ministria.” Një tjetër ndryshim që kërkohet është edhe neni 53, i cili përcakton se: “Nxënësve të shkëlqyer në vite, pas përfundimit të arsimit të mesëm të lartë, u jepet ‘Medalja e artë’ nga Presidenti i Republikës, me propozimin e ministrit”. Ndryshimi kërkohet vetëm në zëvendësimin e fjalës ‘President’ me ‘Kryeministër’. Procedura e emërimit të mësuesve është një tjetër ndryshim që propozohet nga MAS. Në ligjin aktual sanksionohet se, emërimi i mësuesve bëhet nga drejtori i institucionit arsimor, pas propozimit të Komisionit të Vlerësimit. Ky i fundit, në përbërje të vet ka një përfaqësues nga njësia arsimore vendore, kryetarin e bordit të institucionit, kryetarin e Këshillit të Prindërve të institucionit dhe dy mësues që zgjidhen nga Këshilli i Mësuesve në atë institucion. Një nga mësuesit me përvojën më të gjatë në atë institucion drejton Komisionin e Vlerësimit. Ndërkohë që MAS, në ndryshimet e propozuara e heq Komisionin e Vlerësimit. “Në institucionin arsimor publik, për një vend të lirë pune, mësuesi emërohet nga drejtori i institucionit arsimor, me konkurrim të hapur. Procedurat e konkurrimit dhe vlerësimit përcaktohen me udhëzim të ministrit”, përcaktohet në projektligjin e ri të arsimit parauniversitar të propozuar nga MAS.

Ndryshimet e propozuara nga MAS për ligjin e arsimit parauniversitar
Neni 3
Qëllimi i sistemit arsimor parauniversitar
Sistemi arsimor parauniversitar ka për qëllim formimin e çdo individi, në mënyrë që të përballojë sfidat e së ardhmes, të jetë i përgjegjshëm për familjen, shoqërinë e kombin dhe në mënyrë të veçantë:
a) të njohë, të respektojë, të mbrojë identitetin kombëtar e të zhvillojë trashëgiminë dhe diversitetin tonë kulturor;
b) të zhvillohet në aspektin etik, intelektual, fizik, social dhe estetik, të jetë i aftë të mendojë në mënyrë të pavarur, kritike e krijuese, t’u përshtatet ndryshimeve, të ketë vetëbesim e shpirt bashkëpunimi, të jetë i gatshëm të ofrojë ndihmesën e tij për mirëqenien, përparimin, lirinë e demokracinë;
c) të ketë bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia, bashkëpunimi dhe respekti për të tjerët janë vlerat më të larta njerëzore;
ç) të njohë dhe të respektojë traditat e popujve të tjerë;
d) të ndërgjegjësohet për të përmbushur përgjegjësitë e tij për mbrojtjen e mjedisit.
BËHET
1. Sistemi arsimor parauniversitar ka për qëllim krijimin e kushteve dhe mundësive që nxënësit të ndërtojnë dhe të zhvillojnë njohuri, shkathtësi, qëndrime dhe vlera që kërkon shoqëria demokratike; të zhvillohen në mënyrë të pavarur e të gjithanshme; të kontribuojnë në ndërtimin dhe mirëqenien vetjake dhe të shoqërisë shqiptare dhe të përballen në mënyrë konstruktive me sfidat e jetës.
2. Në arsimin parauniversitar nxënësit:
a) kultivojnë identitetin vetjak, kombëtar dhe përkatësinë kulturore;
b) përvetësojnë vlera të përgjithshme kulturore dhe qytetare;
c) zhvillohen në aspektet intelektuale, etike, fizike, sociale dhe estetike;
ç) zhvillojnë përgjegjësi ndaj vetes, ndaj të tjerëve, ndaj shoqërisë dhe ndaj mjedisit;
d) aftësohen për jetë dhe për punë, në kontekste të ndryshme shoqërore e kulturore;
dh) aftësohen për të nxënë gjatë gjithë jetës;
e) zhvillojnë shpirtin e sipërmarrjes;
ë) përdorin teknologjitë e reja.”.

ËSHTË
Neni 13
Kompetencat themelore
Kompetencat themelore për të gjithë nxënësit janë:
a) komunikimi në gjuhën amtare;
b) komunikimi në gjuhë të huaja;
c) kompetenca matematikore dhe kompetencat bazë në shkencat dhe teknologjinë;
ç) kompetenca dixhitale;
d) kompetenca për të nxënë gjatë gjithë jetës;
dh) kompetencat shoqërore dhe qytetare;
e) kompetenca e iniciativës dhe sipërmarrjes;
ë) kompetenca e formimit kulturor dhe e shprehjes.
BËHET
Kompetencat themelore për të gjithë nxënësit janë:
a) Kompetenca e komunikimit dhe e të shprehurit;
b) Kompetenca e të menduarit;
c) Kompetenca e të mësuarit për të nxënë;
ç) Kompetenca për jetën, sipërmarrjen dhe mjedisin;
d) Kompetenca personale;
dh) Kompetenca qytetare;
e) Kompetenca digjitale.”.

ËSHTË
Neni 47
Tekstet shkollore
1. Tekstet për nxënësit janë alternative. Ato përzgjidhen nga mësuesit në bazë shkolle, në prani të prindërve, pas certifikimit nga ministria. Përjashtimet nga ky rregull përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
BËHET
“1. Tekstet shkollore përzgjidhen mbi bazën e standardeve të teksteve nëpërmjet një konkurrimi të hapur, të barabartë dhe transparent. Procedurat e zhvillimit të konkursit përcaktohen me udhëzim të ministrit. Përjashtimet nga ky rregull përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Tekstet për nxënësit janë unike për çdo lëndë ose fushë të të nxënit, sipas klasave dhe për të gjitha shkollat. Ato sigurohen nga botuesit vendas ose të huaj. Tekstet certifikohen nga ministria.”.

ËSHTË
Neni 53
Medalja e Artë
1. Nxënësve të shkëlqyer në vite, pas përfundimit të arsimit të mesëm të lartë, u jepet “Medalja e artë” nga Presidenti i Republikës, me propozimin e ministrit.
BËHET
1. Nxënësve të shkëlqyer në vite, pas përfundimit të arsimit të mesëm të lartë, u jepet “Medalje e Artë” nga Kryeministri, me propozimin e ministrit.”.

ËSHTË
Neni 60
Pranimi dhe largimi nga puna i mësuesit
1. “Në institucionin arsimor publik, për një vend të lirë pune, mësuesi emërohet nga drejtori i institucionit me konkurrim të hapur, pas propozimit të kandidaturave të komisionit për vlerësimin. Komisioni ka në përbërje të tij një përfaqësues nga njësia arsimore vendore, kryetarin e bordit të institucionit, kryetarin e këshillit të prindërve të institucionit dhe dy mësues që zgjidhen nga këshilli i mësuesve në atë institucion. Një nga mësuesit me përvojën më të gjatë në atë institucion drejton komisionin e vlerësimit. Procedurat e vlerësimit përcaktohen me udhëzim të ministrit.
BËHET
1. “Në institucionin arsimor publik, për një vend të lirë pune, mësuesi emërohet nga drejtori i institucionit arsimor, me konkurrim të hapur. Procedurat e konkurrimit dhe vlerësimit përcaktohen me udhëzim të ministrit.”

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb