Ushtria e Turqisë ka arritur të marrë direkt pushtetin tri herë qysh në vitin 1960. Përse ka dështuar përpjekja e fundit për grushtshtet? Abbas Djavadi i Radios Evropa e Lirë, ka bërë një analizë dhe sjell pesë arsye, si më poshtë.


Mungesa e mbështetjes publike
Tre grusht shtetet e para janë pritur shumë mirë nga një publik i etur për “paqe dhe rend”, pas periudhave të grindjeve sociale dhe dhunës. Këtë herë, nuk ka pasur mbështetje të tillë publike për komplotuesit e grusht shtetit. Në fakt, turma të mëdha njerëzish i janë përgjigjur thirrjes dramatike të presidentit Recep Tayyip Erdogan për të dalë në rrugë dhe për të kundërshtuar grusht shtetin.


Këtë herë (me sa duket) nuk ishin sekularistët
Ushtria e Turqisë, prej kohësh, e ka konsideruar veten mbrojtëse të Kushtetutës laike të vendit. Në grusht shtetet e kaluara, ajo ka marrë pushtetin nga qeveritë civile që i ka konsideruar rrezik për rendin laik. Këtë herë, autoritetet nuk kanë fajësuar sekularistët, por një figurë ferare, Fetullah Gulen, kritik i Erdoganit, që jeton në mërgim në Shtetet e Bashkuara. Dy partitë më të mëdha opozitare kanë dalë po ashtu në mbështetje të qeverisë, duke thënë se përvoja e hidhur nga grusht shtetet e kaluara ushtarake nuk duhet të lejohet të përsëritet.


Policia dhe komplotuesit e grusht shtetit ishin në anë të ndryshme
Në rastet e mëparshme, policia ka respektuar udhëheqësit e rinj të Turqisë, pas marrjes së kontrollit nga ushtria. Në ditët e sotme, policia shihet si më e afërt me qeverinë. Zyrtarët e policisë kanë arrestuar dhjetëra ushtarakë të rebeluar.

Komplotuesit e grusht shtetit ishin pjesë e vogël e ushtrisë
Edhe qeveria, edhe opozita kanë vlerësuar se kryengritësit kanë përbërë maksimum 10-20 përqind të ushtrisë. Në të kaluarën, ushtria ka ndërhyrë si e tërë.

Mbyllja e mediave është më e vështirë
Në rastet e mëparshme, komplotuesit e grusht shtetit kanë marrë kontrollin e televizionit dhe radios shtetërore. Por, në rastin e fundit, lajmet janë shpërndarë falë televizioneve joshtetërore, kryesisht nga CNN turk, pastaj platformat Twitter dhe WhatsApp. /REL/

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: