Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE – Zonifikimi i monumenteve, dixhitalizimi i arkivës, disa projekte restaurimi, hartimi i rregulloreve të qendrave historike janë disa nga çështjet për të cilat flet drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës në një intervistë për “GSH”. Arta Dollani ndalet edhe te problematikat, objektet e vëna në mbrojtje, gjendjen e tyre, kërkesën për donatorë, bashkëpunimi me Kishën Ortodokse, teksa bën thirrje edhe për ndihmë nga bizneset.

Cilat janë projektet kryesore të IMK-së për këtë vit?
Gjatë 2014-ës stafi i Institutit të Monumenteve dhe Drejtoritë Rajonale ka punuar intensivisht në terren për evidentimin e objekteve që janë në listën e monumenteve dhe gjurmimin e objekteve me potencial. Duhet të theksoj se ky është një proces shumë i rëndësishëm për pasqyrimin e gjendjes reale të monumenteve të Shqipërisë. Pjesa më e madhe e monumenteve janë prekur nga specialistët këtë vit dhe janë hartuar raportet për gjendjen teknike. Ky proces nuk ishte bërë prej dekadash, kërkon kohën e tij dhe ne kemi bërë maksimumin për të pasur sa më shpejt një tablo reale. Rreth 70% e objekteve janë vizituar në vend dhe janë plotësuar kartelat. Përfundimi i këtij procesi është një prej objektivave të këtij viti. Paralelisht me të do të përfundojë rishikimi i listës së monumenteve.
Vazhdojmë me dixhitalizimin e Arkivës së Institutit, një proces i domosdoshëm në mbarëvajtjen e punës për krijimin e hartës dixhitale të Monumenteve të Shqipërisë.
Përparësia kryesore është hartimi i projekteve të restaurimit, edhe këtë vit do punojmë për objektet më të rëndësishme që kanë nevojë për ndërhyrje emergjente.
Vazhdon faza e dytë e ndërhyrjes në Kishën e Ristozit dhe të Shën Spiridhonit, projekti për Kishën e Mesopotamit dhe të Labovës.
Jemi fokusuar në projektet e restaurimit të objekteve që ndodhen brenda qendrave urbane. Të tilla në 2014 ishin Pazari i Krujës dhe Korçës, që janë duke u realizuar dhe këtë vit do të futen në këtë proces Pazari i Gjirokastrës dhe Pazari i Ri në Tiranë. Janë projekte madhore, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e dukshëm të pamjes dhe funksionalitetit, dhe ajo çka është shumë e rëndësishme: bashkëpunimi i suksesshëm me komunitetin e biznesit dhe banorëve.
Cilat janë çështjet emergjente që keni në duar?
Po punojmë mbi disa projekte të rëndësishme krahas punës kërkimore shkencore të institutit. Verifikimi i objekteve të shpallura në mbrojtje paraprake në disa qytete të Shqipërisë përbën një nga punët voluminoze të kësaj periudhe. Hartimi i rregulloreve të qendrave historike në Gjirokastër e Himarë janë në proces. Në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve u miratuan së fundmi rregulloret për Qendrën Historike të Pogradecit dhe Pazarit të Bilishtit. Një tjetër çështje që po trajtohet është manuali i çmimeve në restaurim, i cili nuk është përditësuar prej vitesh ndërkohë që kërkesa është imediate. Brenda muajit do të jetë gati manuali i ri i restaurimit.
A pritet të përfundojnë zonifikimi i monumenteve, i cili është bërë shkak për shumë abuzime në të kaluarën?
Kjo është një tjetër çështje emergjente mbi të cilën po punojmë. Duhet të ritheksoj që kemi gjetur vetëm 20 zona të mbrojtura të monumenteve. Këtë vit janë miratuar rreth 60 të tilla. Duhet të kemi parasysh që shpërndarja territoriale dhe vështirësia e aksesit në terren bën që ky proces të marrë kohën e tij, por në 2015 ky numër do të shumëfishohet. Zonat e mbrojtura janë i vetmi instrument ligjor që ruajnë të paprekur territorin rreth Monumentit dhe ne u kemi kushtuar vëmendje e studime të thella përcaktimeve të tyre.
A është parashikuar dhënia me qira e monumenteve për aktivitete këtë vit, për cilat bëhet fjalë?
Nëse me këtë pyetje keni parasysh aktivitetet kulturore që zhvillohen brenda siteve arkeologjike, mendoj se si çdo vit do të jenë në dispozicion të njerëzve të interesuar, qofshin këta institucione shtetërore ose subjekte. Instituti i Monumenteve asiston për çdo rast, pasi ky proces zhvillohet nga Ministria e Kulturës.
A mendoni se duhej lejuar të kalonte linja e OST-së mbi Koman, ndonëse në zonën B?
Gjatë 2014-ës kemi shqyrtuar çdo projekt infrastrukture paraprakisht dhe duhet të them se kjo ka ndodhur falë bashkëpunimit tonë të ngushtë me të gjitha institucionet që hartojë projekte në fushën e infrastrukturës. Edhe në këtë rast kemi ndjekur procedurën normale, duke mbledhur të gjithë informacionin e duhur në procesin e hartimit të këtij projekti madhor që i kalon kufijtë e Shqipërisë. Rasti në fjalë është shqyrtuar gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë dhe është marrë vendimi i duhur, në zbatim të ligjit dhe në respekt sidomos të zbulimeve në Koman.
Ju e keni vizituar Komanin? Cila është rëndësia e zonifikimit të tij dhe në këtë kuptim, cila është diferenca mes ndërtimeve urbane dhe linjave të tensionit të lartë?
Zonifikimi i sitit të Komanit është shqyrtuar në po të njëjtën mbledhje të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë. Trajtimi i çështjeve të zonave arkeologjike dhe zhvillimeve të infrastrukturës shqyrtohen në këtë tryezë teknike për të gjetur zgjidhjen më të mirë në rastin e mbivendosjes në territor. Grupet e interesuara kanë paraqitur argumentet e tyre dhe gjithçka është ende në proces.
Përsa i përket karakterit të dy llojeve të ndërtimeve që ju përmendni, them se janë zhvillime në territor që u përkasin kategorive krejtësisht të ndryshme. Objektet e banimit në zona rurale janë zhvillime ndërtimore sporadike, pranë qendrave urbane më të mëdha, ndërsa linjat e infrastrukturës, qofshin këto infrastrukturë rrugore, linja tensioni të lartë apo ujësjellësi janë të rëndësisë kombëtare dhe kanë prioritet shumë të lartë.
Sipas vëzhgimit të IMK-së, edhe sa kohë mund të qëndrojë në këmbë Teatri Kombëtar, për gjendjen e të cilit është ankuar drejtori i tij, Hervin Çuli?
Objekti ku sot zhvillon aktivitetin Teatri Kombëtar ka pësuar dëmtime. Raporti i hartuar nga specialistët e IMK pasqyron në mënyrë të hollësishme gjendjen. Në këtë raport nuk bëhet fjalë për jetëgjatësinë e objektit, i cili në vetvete nuk rrezikon, por i përmirësimit të kushteve dhe parametrave për funksionimin e tij.
Ndërsa po merreni me inventarizimin e monumenteve, çfarë keni vënë re, sa monumente ishin jashtë tij dhe cilat janë problematikat me të cilat jeni përballur?
Janë evidentuar shumë objekte, të cilat janë shpallur në mbrojtje paraprake. Në shumë raste kanë qenë vetë banorët, pushteti lokal që kanë marrë iniciativën për të bërë kërkesën që objekti të përfshihet në listën e monumenteve. Menjëherë janë nisur ekipet e specialistëve për të verifikuar objektin dhe për të bërë procedurat e vlerësimit.
Rastet e tjera kanë ndodhur gjatë inspektimeve në terren të specialistëve të sistemit të trashëgimisë. Gjendja e rënduar e objekteve është ajo çka vërej si problem. Por më duhet të theksoj se në këtë drejtim kontributi i pushtetit lokal është i domosdoshëm. Në shumë raste nuk ka munguar, në raste të tjera kemi ndërgjegjësuar mbi rëndësinë e objekteve. Kemi ende shumë për të bërë në këtë drejtim.
Meqë mirëmbajtja e monumenteve kushton shumë, me kë po shihet mundësia e bashkëpunimit për fonde?
Kryesisht me pushtetin lokal, me fondacione e donatorë. Përfitoj nga rasti për të bërë një thirrje publike për të gjithë individët dhe ndërtuesit. Çdo kontribut sado i vogël, është shumë i rëndësishëm dhe jo domosdoshmërisht me para, edhe ndërtuesit janë të mirëpritur të kontribuojnë me skela druri ose metalike. Gjatë inspektimeve vërehet një nevojë shumë e madhe në përforcimin e qëndrueshmërisë së objekteve.
Si është bashkëpunimi juaj me Kishën Ortodokse, për kishat që janë monumente?
Jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe të frytshëm me autoritetet e Kishës Ortodokse. Së bashku kemi përpiluar një listë kishash në nevojë emergjente ndërhyrjeje dhe po punojmë hap pas hapi për realizimin e tyre. Përveç kësaj, po hartojmë një rregullore mbi përdorimin e tyre ku përcaktohen qartë rregullat e shfrytëzimit dhe mirëmbajtjes.
Vitin që shkoi shtëpia e Hadërajve në Gjirokastër u shemb nga vetë MK, sepse rrezikonte jetë. A ka projekte për banesat e tjera, në mënyrë që të mos marrim shembullin e Hadërajve?
Dëshiroj t’ju korrigjoj për këtë. Banesa e Hadërajve është monument kulture në gjendje të braktisur prej vitesh, si shumë të tjera në Gjirokastër. Një pjesë e vogël muri u shemb nga autoritetet lokale në kushtet e emergjencës. Instituti i Monumenteve mbështeti menjëherë projektin e ndërhyrjes konsoliduese për këtë banesë dhe katër të tjera në gjendje të ngjashme. Financimi u bë i mundur nga fondacioni “Prince Clauss” dhe “CHwB”, të cilët i falenderojmë.
Jemi përfshirë në disa projekte të tilla për konsolidimin dhe rijetëzimin e banesave në Gjirokastër në bashkëpunim me pronarët. Është ky një moment kyç në mbarëvajtjen e projekteve të këtij lloji.
Për ato dosje të monumenteve me të cilat ka pasur probleme, ka rishikime?
Të gjitha dosjet po verifikohen mbi rregullsinë e tyre ligjore.
A po bëhen verifikime për Durrësin, pallatin e ndërtuar mbi rrënojat antike?
Kjo është një çështje ende nën hetim nga prokuroria. IMK ka dërguar gjithë informacionet përkatëse.
Një pjesë të Butrintit vitin që shkoi i doli pronari i tokës. Ç’po bëhet me të?
Në dijeninë time, kjo është një çështje në shqyrtim dhe karakteri është plotësisht ligjor. Por e sigurtë është se qyteti antik i Butrintit është pronë e shtetit shqiptar dhe ky fakt është i patjetërsueshëm.
Cilat janë objektet e vëna së fundmi në mbrojtje?
Përveç vilave në qytetet e Tiranës dhe të Korçës, kemi vendosur në mbrojtje disa kisha në Delvinë, Lukovë e Korçë, Shtëpinë e Abat Prend Doçit në Rubik, ish-Arqipeshkvinë e Durrësit në Delbnisht, kompleksin e banesave të familjes Zhapa në Labovën e Zhapës, si dhe piktogramet në strehën shkëmbore pranë Rubikut. Në proces janë disa objekte të tjera që paraqesin potencial. Dëshiroj sërish të theksoj se bashkëpunimi me komunitetin është pika jonë shumë e fortë dhe ndërgjegjësimi i banorëve për objektet monument kulture po vijon të rritet.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: