Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, tha për media se tashmë çështja e zgjedhjes së prokurorit të përgjithshëm ka kaluar në Kuvend dhe i takon këtij të fundit të zgjedhë mes tre kandidatëve, Arta Markut, Olsian Çelës dhe Fatjona Memçes.


Ibrahimi tha se KLP, pas vlerësimit të secilit kandidat, renditi të parin në listë Olsian Çelën, duke shtuar se shpreson që edhe Kuvendi të ndjekë të njëjtin shembull dhe të zgjedhë si kryeprokuror pikërisht këtë emër. Por, Ibrahimi deklaroi se Kuvendi ka të drejtë të zgjedhë secilin nga këta tre kandidatë, dhe nëse ai nuk zgjedhë Çelën, KLP do të bashkëpunojë me cilindo qoftë kryeprokurori i ri.


Do ketë kontestime?
Përfundon një proces i rëndësishëm dhe kemi ndjenjën e lehtësimit. Ta gëzojmë për pak çaste, shpresoj se nuk do ketë ankimime nga kandidatët. Procesi ka qenë aritmetikor.


Sa është afati për ankim?
Brenda tre ditësh, nga dita e sotme.

Nëse nuk do ketë vullnet politik për të zgjedhur prokurorin, ç’do ndodhë?
Ne dhamë një shembull me këtë proces, që i përgjigjemi dhe skepticizmit. Ky shembull do merret parasysh dhe nga Kuvendi. Ai mund të zgjedh edhe kandidatin e tretë në listën tonë. Kuvendi shpresoj të marrë parasysh pozicionin e KLP dhe të zgjedhë të parin në listën tonë.

A nuk do ishte e udhës të na bënit me dije si kanë votuar të gjithë anëtarët e KLP?
Unë nuk e di ende si kanë votuar anëtarët e Këshillit. Ata kanë të drejtën ligjore të votojnë si e mendojnë ata. Jam me mëdyshje nëse duhet bërë publik mënyrën si kanë votuar secili prej tyre. Mendoj që ka të mira dhe të këqija në publikimin e akteve individuale të votimit të anëtarëve.

Do donit ta zgjidhnit ju apo Parlamenti kryeprokurorin dhe a do bashkëpunojë KLP me kryeprokurorin e ri, nëse Kuvendi nuk zgjedh Çelën?
Nuk është çështje dëshire, është çështje ligji, dhe ligji parashikon që kryeprokurorin e zgjedh Parlamenti. Ne do bashkëpunojmë po aq mirë me cilin kandidat që të zgjedhë Kuvend. Nuk do të jetë e vështirë për ne të bashkëpunojmë me secilin, por mendoj që Kuvendi do të zgjedhë shembullin tonë, pasi jemi ne që bëjmë vlerësimin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb