Nga AURORA KOROMANI*

Ngjarjet e fundit kriminale në qendër të të cilave ishte familja e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dyshohet të jenë kryer nga banda e vrasësve me pagesë të arrestuar vetëm pak ditë më parë. Këtë fakt e konfirmon kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi në një prononcim të shkurtër për “Gazeta Shqiptare”. Kryepolici ka sqaruar se pistat e hetimeve janë të shumta, por një nga pistat e mundshme në të cilën janë përqendruar hetimet e grupit hetimor është pikërisht ajo që i lidh anëtarët e kësaj bande me tritolin e vendosur në farmacinë e babait të ministrit Tahiri në 10 shkurt. Drejtori i Përgjithshëm pohon për “GSH” se është herët që të flitet me konkluzione përfundimtare, pasi hetimet vijojnë akoma për tre personat, Kristi Pine, Aleksandër Gora dhe Alfred Q. që pak ditë më parë u vunë në pranga nga uniformat blu të kryeqytetit.

Z. Didi, pak ditë më parë në pranga u vunë tre persona, të cilët dyshohet se janë pjesë e një bande që ka kryer disa vepra penale në vend. Për çfarë po hetohen konkretisht anëtarët e kësaj bande?

Ne jemi duke i hetuar të arrestuarit e këtij grupi për disa vepra penale, të cilat dyshohen që i kanë kryer në kryeqytet, por jo vetëm. Nuk mund t’ju jap të dhëna konkrete, sepse prishen hetimet.

A ka të dhëna që i lidh tre të arrestuarit e bandës kriminale me ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në kryeqytet dhe këtu u referohem pikërisht atentateve me tritol, që kishin në qendër familjen e ministrit të Brendshëm?

Ne jemi duke punuar dhe hetuar në të gjitha pistat dhe nuk duhet të flasim para kohe dhe të tregohemi entuziastë para kohe, por mund t’ju them se një nga pistat e mundshme që po hetojmë për grupin kriminal është pikërisht kjo e lidhjes së tyre me ngjarjet e fundit kriminale në kryeqytet, me shpërthimet me tritol.

A ka bashkëpunëtorë të tjerë grupi kriminal?

Po, jemi duke hetuar çdo gjë, dyshojmë që ka bashkëpunëtorë të tjerë, të cilët jemi duke i hetuar dhe duke i zbuluar.

SHPERTHIMET NE TIRANE

Të martën e javës së kaluar u hodh në erë farmacia e Bashkim Tahirit, babait të ministrit të Brendshëm. Ngjarja e parë u shënua rreth orës 02:50 minuta të mëngjesit të datës 10 shkurt, ku afro 400 gramë tritol u vendos në kondicionerin e farmacisë së babait të ministrit, ndërkohë që vetëm një orë më pas, një tjetër shpërthim me tritol u shënua në banesën e kryekomisarit Alfred Nomanit, por fatmirësisht në të dyja atentatet pati vetëm dëme materiale, pa të lënduar.

Po atë mëngjes, policia zbuloi në kohë një tjetër sasi tritoli në afërsi të banesës së Bashkim Tahirit, duke parandaluar një tjetër shpërthim. Pas këtyre ngjarjeve, kreu i Policisë së Shtetit në një deklaratë për mediat sqaroi se dy atentatet që kishin në qendër familjen e ministrit të Brendshëm dyshoheshin se ishin kryer nga i njëjti person. Te pamjet filmike që policia publikoi dy ditë pas shpërthimeve me tritol, dukej qartë silueta e një personi me biçikletë, i cili pasi vendoste tritolin te farmacia e babait të ministrit Tahiri, largohej dhe i njëjti person shfaqej edhe te kamerat e sigurisë pranë banesës së Bashkim Tahirit. Pa kaluar një javë nga këto atentate, policia vuri në pranga tre persona, të cilët dyshohet se janë pjesë e një bande që kryen vrasje me pagesë. Për shkak të dyshimeve se këta persona kishin lidhje me vendosjen e sasisë së eksplozivit në biznesin e babait të ministrit të Brendshëm, pak ditë më parë Policia e Tiranës ka arrestuar 24-vjeçarin Kristi Pine nga Elbasani, 41-vjeçarin Aleksandër Gora, si edhe 29-vjeçarin Alfred Qefalia. Të tre të arrestuarit dyshohet se kanë kryer një sërë veprash penale në kryeqytet, por edhe në qytete të tjera të vendit, përfshirë këtu edhe vrasjen e biznesmenit nga Durrësi, Leonard Murati. Policia ka zbuluar se 24-vjeçari Pine dyshohet se një vit më parë ka ekzekutuar në Shkodër I.M, ndërkohë që ai dyshohet edhe për kryerjen e vrasjeve të tjera në këtë qytet. Policia ka zbuluar edhe lidhjet e tjera të grupit dhe konkretisht të 29-vjeçarit me banim në Farkë, Alfred Qefalisë, i cili dyshohet se është edhe autori i atentatit me tritol në 26 shkurt të vitit të kaluar, ku në rrugën “Budi” mbeti i plagosur biznesmeni Armando Çeka, truproja i tij, A.Sh dhe juristi Julian Çela.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb