TIRANË- Akademiku Artan Fuga ka një mesazh për demokratët pas humbjes në zgjedhjet e 25 qershorit.


Duke iu referuar debateve brenda PD-së dhe kritikave ndaj Bashës, Fuga thotë se ndërsa lëshohen dhjetëra deklarata inatçore, intelektualët dhe qytetarët braktisin PD-në dhe votimet.
E në fund thotë se kush ikën i fundit të fikë dritat në Koman.


STATUSI I FUGËS
I fundit të fiki dritat në Koman!
Për kë bien kambanat?!
Profesor Besnik Aliaj largohet nga funksionet e tij në departamentin që drejtonte në Partinë Demokratike.


Profesor i njohur, urbanist i talentuar, njohës i shkëlqyer i problematikave të menaxhimit të territorit, thuajse i përplas derën politikës.
Sikur të ishte i vetmi. Numëroni se sa profesorë, arkitektë, shkencëtarë keni aktivë në politikë.
Nuk janë indiferentë jo, por i përzë ajo që shohin, përjetojnë dhe mjedisi.
A ka vesh të dëgjojë Partia Demokratike? Apo do të mbytet në dhjetëra deklarata njëra më inatçore se tjetra, njëra më pa logjikë se tjetra!

A ka vesh të dëgjojë politika?
Ndani postet, votat, pushtetet, pasuritë, intelektualët e kanë braktisur gjithnjë e më shumë politikën.
Ndani postet, votat, pushtetet, pasuritë, qytetarët vijnë gjithnjë e më pak në votime.
Ndani postet, pushtetet, pasuritë, votat, mediat, tenderët, koncesionet, pallatet, rinia braktis atdheun.

Merrini të gjitha, grinduni se kush e kishte fajin, bëni marrëveshje, mosmarrëveshje, përleshje, leshje, mallkoni, lavdëroni, hani, pini, qeshni, gjithçka është tuaja!
I keni të gjitha.
I gëzofshi!
Intelektualët, si votuesit, si rinia, si emigrantët po ikin!
I fundit të fiki dritat në Koman!

(m.k/BalkanWeb)

Etiketa: